Salah drejt largimit pas 9 vitesh te Liverpooli, Van Dijk emocionohet: Kemi kaluar gjithçka bashkë
Liverpooli ka marrë një fitore të rëndësishme në derbin e Merseyside ndaj Evertonit, në një ndeshje të vendosur në fund nga kapiteni Virgil van Dijk, që i afron të kuqtë edhe më shumë mekualifikimin në Champions League.
Ndeshja u hap me golin e Mohamed Salah, por Everton barazoi në pjesën e dytë me Beto-n, para se Van Dijk të vendoste sfidën në fund, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme për Liverpool-in në garën për objektivat sezonalë.
Pas ndeshjes, mbrojtësi holandez foli me emocione të forta edhe për situatën e klubit, duke pranuar se sezoni nuk ka qenë në nivelin e pritshëm, por duke theksuar rëndësinë e çdo fitoreje në këtë fazë të kampionatit.
“Jemi të zhgënjyer me sezonin që po bëjmë, por kjo fitore ishte jetike. Duhet të luftojmë deri në fund,” u shpreh Van Dijk.
Ai u ndal edhe te shoku i skuadrës Mohamed Salah, i cili pritet të largohet nga Liverpool pas 9 vitesh. Egjiptiani ka qenë një nga figurat kryesore të suksesit të skuadrës në dekadën e fundit.
“Në javët e ardhshme do të kem shumë për të thënë për të. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, brenda dhe jashtë fushës. Kemi kaluar gjithçka bashkë, suksese dhe vështirësi,” tha Van Dijk.
Mbrojtësi shtoi se ndarja e mundshme do të jetë një moment emocional për të gjithë klubin, sidomos për tifozët e Liverpool-it në “Anfield”.
Megjithatë, ai theksoi se fokusi mbetet te objektivi kryesor: sigurimi i një vendi në Champions League, me vetëm disa ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.