Zjarri në landfillin e Bushatit mbetet i pakontrolluar, pamjet me dron tregojnë përmasa të mëdha të djegies

Zjarri në landfillin e Bushatit vijon të mbetet aktiv edhe këtë të hënë, duke hyrë në ditën e dytë të përhapjes së tij, që prej pasdites së së dielës, 19 prill.

Pamje të reja të mbërritura në redaksi nga terreni, të realizuara me dron gjatë orëve të mesditës, tregojnë qartë përmasat e mëdha të zonës së përfshirë nga flakët, si dhe sasinë e konsiderueshme të tymit që vazhdon të ngrihet mbi landfill.

Sipas pamjeve, vatra e zjarrit mbetet ende aktive në disa segmente, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme.

LEXO EDHE: VIDEO/ Vijon djegia e landfillit në Bushat, ndotje masive në zonë

Era e fortë në zonë ka vështirësuar ndjeshëm punën për shuarjen e plotë të zjarrit, duke favorizuar riaktivizimin e vatrave në disa pika.

LEXO EDHE: 'Landfilli i Bushatit në Shkodër në flakë'/ Banorët: Këtu nuk bëhet më asgjë, na kanë shaktërruar tokat

Tymi i dendur dhe aroma e rëndë e djegies së mbeturinave vijojnë të jenë të pranishme në zonën përreth, duke krijuar shqetësim për banorët e afërt dhe duke rritur ndjeshëm ndotjen mjedisore.