Guardiola, pas fitores ndaj Arsenalit: Reklama më e mirë për Premier League-n
Manchester City ka bërë një hap të madh në garën për titull në Premier League, duke mposhtur 2-1 Arsenalin dhe duke u afruar vetëm tri pikë nga kreu i tabelës.
Pas ndeshjes, trajneri Pep Guardiola vlerësoi jo vetëm fitoren e skuadrës së tij, por edhe cilësinë e lartë të takimit, duke e cilësuar si një reklamë perfekte për futbollin anglez.
“Ishte një reklamë e shkëlqyer për Premier League”, u shpreh Guardiola për “Sky Sports UK”, duke theksuar intensitetin dhe nivelin e lartë të ndeshjes mes dy skuadrave.
Trajneri spanjoll analizoi edhe mënyrën e lojës së Arsenalit, duke e quajtur ekipin e Mikel Artetës si shumë agresiv dhe të fortë në duele: “Ata nuk të lënë të zhvillosh lojën, janë shumë të fortë në një kundër një dhe në topat e dytë. Është një nga skuadrat më të vështira që kam përballur ndonjëherë”.
Guardiola shtoi se ndeshja u vendos nga detaje të vogla: “Të dy ekipet patën momentet e tyre dhe rastet e tyre. Në fund, këto ndeshje vendosen nga diferenca shumë të vogla”.
Ai vlerësoi gjithashtu cilësinë e lojtarëve dhe trajnerëve në të dy kampet, duke e quajtur përballjen si një duel mes dy skuadrave elitare. Guardiola nuk harroi të përmendte edhe rivalitetin në krye të tabelës, ku Arsenali mbetet ende i pari me diferencë minimale.
Në lidhje me vazhdimësinë e sezonit, trajneri i City-t theksoi rëndësinë e qetësisë dhe fokusit: “Duhet ta shijojmë këtë fitore, por pa humbur ekuilibrin. Sfida e radhës është shumë shpejt, ndaj Burnley-t”.
Me këtë fitore, Manchester City mbetet fuqishëm në garë për titull, duke e kthyer fundin e sezonit në një duel të zjarrtë me Arsenalin për trofeun e Premier League-s.