Vlen 1 milion, por këtë pikturë të Picasso mund ta kesh për 100 euro
Aq sa do t’i kushtonte një darkë në Paris, dikush do të largohet së shpejti nga kryeqyteti francez me një vepër të Picasso me vlerë më shumë se 1 milion dollarë.
Lotaria “1 Picasso për 100 euro” u ofron pjesëmarrësve mundësinë për të marrë në shtëpi veprën e vitit 1941, “Tête de Femme”. Çmimi i një bilete është 100 euro.
Një total prej 120,000 biletash janë në dispozicion për shortin e 14 prillit. Të ardhurat do t’i dhurohen Fondacionit të Kërkimeve për Alzheimerin, i cili mbështet kërkimet klinike mbi sëmundjen në të gjithë Evropën.
Ky është edicioni i tretë i fushatës. I pari “1 Picasso për 100 euro” u mbajt në vitin 2013, kur fondet u dhuruan për ruajtjen e Tyres, një qytet historik në Libanin Jugor. Një edicion i dytë në vitin 2020 mbështeti programet e ujit të pastër dhe higjienës gjatë kulmit të pandemisë Covid-19.
[Olivier Widmaier Picasso dhe prezantuesi francez i TV Péri Cochin pranëTête de Femme(1941) të Pablo Picasso-s.]
Olivier Widmaier Picasso, nipi i artistit legjendar spanjoll, i tha CNN se gjyshi i tij krijoi “Tête de Femme” në të njëjtën studio ku ai pikturoi kryeveprën e tij “Guernica”.
Ai tha se besonte që vepra po nënvlerësohet. “Vlen shumë më tepër se 1 milion dollarë”, tha Widmaier Picasso, “kështu që do të jetë një çmim vërtet i madh”. Pikturat e Picasso kanë arritur shuma marramendëse në ankande në të kaluarën. “Les Femmes d’Alger” u shit për më shumë se 179 milionë dollarë në vitin 2015.
Galeria e Operas, e cila e dhuroi pikturën, thotë se Pablo Picasso ishte në Paris kur pikturoi “Tête de Femme”. Lufta e Dytë Botërore po ziente në të gjithë Evropën dhe pjesa më e madhe e Francës ishte nën pushtimin gjerman.
“Tête de Femme” është rreth 35 cm e lartë dhe 25 cm e gjerë. Shprehja e gruas, e pikturuar në nuanca të ndryshme të grisë, është shtrembëruar qëllimisht në stilin kubist karakteristik të Picasso. Galeria e Operas thotë se ajo pasqyron një moment vetëanalize dhe pune të përqendruar në studio për artistin.