Rasti ‘Lukaku’, rikthim në Castel Volturno dhe përballja vendimtare me Conte-n

Napoli po përballet me një situatë të ndërlikuar rreth sulmuesit Romelu Lukaku, i cili, pas rreth një muaji në Bruksel, është rikthyer në Itali dhe pritet të paraqitet në qendrën stërvitore në Castel Volturno.

Sulmuesi belg nuk është parë në fushë që prej 20 marsit, kur ishte në stol në ndeshjen ndaj Cagliari-t dhe nuk u aktivizua fare. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qëndruar në Belgjikë duke u stërvitur me një trajner personal, pavarësisht marrëveshjeve me klubin italian.

Sipas raportimeve, sot pritet një takim i rëndësishëm mes Lukakut, trajnerit Antonio Conte dhe drejtuesit sportiv Giovanni Manna, ku do të diskutohen disa çështje të hapura mes palëve.

Në tryezë janë disa skenarë, përfshirë edhe masa disiplinore si gjobë apo përjashtim nga grupi, megjithëse një vendim i tillë mund të sjellë komplikime ligjore. Në fokus kryesor do të jetë rikuperimi fizik i lojtarit dhe programi i tij i punës me stafin mjekësor të klubit.

Po aq i rëndësishëm është edhe diskutimi për të ardhmen e tij. Raportimet sugjerojnë se Lukaku vështirë se do të vazhdojë te Napoli përtej këtij sezoni, pavarësisht nëse Conte qëndron apo jo në krye të skuadrës. Marrëdhënia mes tyre duket e tensionuar, sidomos pas pakënaqësive të trajnerit për mënyrën e sjelljes së sulmuesit dhe mungesës së minutave pas ndeshjes me Veronën.

Nga ana tjetër, vetë Lukaku kërkon qartësi për rolin e tij në skuadër dhe për situatën e tij sportive, ndërsa mbetet i fokusuar te objektivi i madh: pjesëmarrja në Botërorin e ardhshëm me Belgjikën.

Në sfond përmendet edhe mundësia që lojtari të kërkojë rikthim në Bruksel për të vazhduar rehabilitimin, por klubi italian vështirë se do ta pranojë një zgjidhje të tillë. Megjithatë, me ndërhyrjen e agjentit të tij, Federico Pastorello, ende nuk përjashtohet asnjë skenar për zgjidhjen e situatës.