Policia britanike arreston dy persona pas sulmit ndaj një sinagoge në veri të Londrës
Policia britanike tha të hënën se arrestoi dy persona për një tentativë sulmi me zjarrvënie në një sinagogë në veri të Londrës gjatë fundjavës, ndërsa oficerët e antiterrorizmit hetojnë lidhjet e mundshme midis një serie sulmesh të kohëve të fundit ndaj objektivave hebraike dhe Iranit.
Një djalë 17-vjeçar dhe një tjetër 19-vjeçar u arrestuan gjatë natës në lidhje me incidentin, i cili ndodhi herët të dielën në mëngjes, tha policia. Zjarri shkaktoi dëme të vogla nga tymi në një dhomë të brendshme dhe nuk u raportuan të lënduar.
Sulmi ndaj Sinagogës së Bashkuar të Kentonit ishte i fundit në një seri incidentesh zjarrvënieje që synonin vendet hebraike në të gjithë kryeqytetin në javët e fundit.
Të premten në mbrëmje, policia tha se pati një tentativë për zjarrvënie në një ambient biznesi të lidhur me komunitetin hebre. Më herët javën e kaluar, dy të dyshuar u arrestuan për një tentativë për zjarrvënie në një sinagogë tjetër në kryeqytet.
Muajin e kaluar, disa ambulancave që i përkisnin shërbimit vullnetar të urgjencës hebraike Hatzola u vunë flakën ndërsa ishin të parkuara pranë një sinagoge në zonën Golders Green në veri të Londrës.
Policia gjithashtu rrethoi shkurtimisht një zonë pranë ambasadës izraelite në Londër gjatë fundjavës, pas një raportimi në internet se ajo ishte shënjestruar nga dronë që transportonin “substanca të rrezikshme”. Zyrtarët më vonë thanë se sendet e gjetura nuk përmbanin materiale të dëmshme ose të rrezikshme.
Sulmet ndaj hebrenjve dhe objektivave hebraike janë rritur në Britani që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023 që shkaktoi luftën në Gaza, sipas policisë dhe grupeve të komunitetit.
Zyrtarët britanikë të sigurisë kanë paralajmëruar më parë se Irani është përpjekur të përdorë ndërmjetës kriminalë për të kryer aktivitete armiqësore në Mbretërinë e Bashkuar.