Superkompjuteri jep verdiktin pas fitores së City-t ndaj Arsenalit: cila skuadër e fiton titullin në Premier League?
Një fitore dramatike 2-1 e Manchester City-t ndaj Arsenalit në “Etihad Stadium” ka rihapur plotësisht garën për titull në Premier League. Skuadra e Pep Guardiolë arriti suksesin më të rëndësishëm të sezonit dhe tashmë është vetëm tri pikë pas londinezëve.
Ndeshja e së dielës ishte cilësuar si një “finale e parakohshme” për titullin, dhe rezultati ka bërë që lufta për trofeun të mbetet më e hapur se kurrë. City arriti të merrte një fitore të vështirë, duke rritur presionin mbi Arsenalin, i cili ende mban vendin e parë në tabelë.
Pas këtij rezultati, superkompjuteri i “Opta”-s ka publikuar përllogaritjet më të fundit për garën e titullit. Sipas parashikimeve, Arsenali mbetet favorit për të fituar kampionatin me rreth 72.97% shanse për ta ruajtur vendin e parë deri në fund të sezonit, ndërsa Manchester City vlerësohet me 27.03% mundësi për ta përmbysur situatën.
Në klasifikimin e parashikuar, Arsenali pritet ta mbyllë sezonin me rreth 80.77 pikë, ndërsa City me 78.16, duke i ndarë vetëm dy pikë nga njëri-tjetri në fund të garës.
Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur, pasi City ka edhe një ndeshje të rëndësishme në mesjavë ndaj Burnley-t, ku një fitore mund ta çojë përkohësisht në krye të tabelës me vetëm pesë javë të mbetura deri në fund të sezonit.
Gara për titullin në Angli pritet të shndërrohet në një duel të drejtpërdrejtë mes dy gjigantëve, ku çdo pikë mund të vendosë fatin e kampionatit.