Delegacion i Fratelli d’Italia viziton kampet në Gjadër

Nga Alba Kepi

Një delegacion i Partisë Fratelli d’Italia do të udhëtojë sot drejt Shqipërisë për të vizituar Qendrën e Paraburgimit për Ri-atdhesime (CPR) në Gjadër, me qëllim verifikimin e funksionimit të saj.

Sipas deputetes Sara Kelany, përgjegjëse për departamentin e imigracionit të partisë, vizita synon të vlerësojë nga afër funksionimin e qendrave dhe të kundërshtojë, siç u shpreh ajo, narrativat kritike që i cilësojnë këto struktura si joefektive ose si shpenzim të panevojshëm publik. Kelany theksoi se projekti “po funksionon” dhe se mund të shërbejë si model në nivel evropian.

Delegacioni përbëhet nga drejtues të lartë të partisë, përfshirë kryetarët e grupeve parlamentare në Dhomën e Deputetëve dhe Senat, Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan, si dhe zëvendëskryetarët e grupeve Augusta Montaruli, Raffaele Speranzon dhe Salvatore Sallemi. Në përbërje janë gjithashtu Giovanni Donzelli, përgjegjës për organizimin e partisë, deputetët Sara Kelany dhe Francesco Filini, si dhe senatori Marco Lisei, kryetar i grupit në Komisionin për Çështjet Kushtetuese.