Barcelona, opsioni i vetëm për Bastonin nëse ikën nga Interi, ky është çmimi që kërkojnë zikaltrit

Barcelona ka hyrë seriozisht në garë për të transferuar mbrojtësin e Inter Milan, Alessandro Bastoni, në një lëvizje që mund të jetë një nga më të mëdhatë e merkatos së verës.

Sipas medieve spanjolle, klubi katalanas është i vendosur të forcojë mbrojtjen dhe e sheh Bastonin si një element kyç për të ardhmen. Interi, nga ana tjetër, ka vendosur një çmim minimal prej 70 milionë eurosh për ta lënë të lirë lojtarin, i cili është i kontraktuar deri në vitin 2028.

Raportimet theksojnë se Barcelona nuk është frikësuar nga kërkesa e lartë financiare dhe po përgatit një ofensivë konkrete për ta transferuar mbrojtësin në “Camp Nou”. Bastoni, nga ana e tij, thuhet se është i tunduar nga ideja e një aventure të re jashtë Italisë dhe ka prioritet vetëm kalimin te Barcelona, duke mos e parë Premier League si opsion.

Sipas burimeve nga Spanja, lojtari ka bërë të qartë edhe përfaqësuesve të tij se nëse nuk realizohet transferimi te Barcelona, ai është i gatshëm të qëndrojë tek Interi deri në fund të kontratës së tij.

Marrëveshja mes palëve duket se ka marrë formë në parim, por ende mungon aprovimi përfundimtar nga trajneri Hansi Flick, i cili pritet të diskutojë planin e skuadrës me drejtuesit e klubit.

Në rast se gjithçka finalizohet, në tavolinë mund të përfshihen edhe lojtarë si Héctor Fort apo Roony Bardghji si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi për të ulur koston e operacionit.

Megjithatë, për momentin Bastoni është i fokusuar te objektivat me Interin: titulli në Serie A dhe Kupa e Italisë, përpara se të merret vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij, që gjithnjë e më shumë duket larg Italisë.