VIDEO/ Vijon djegia e landfillit në Bushat, ndotje masive në zonë

Zjarri në landfillin e Bushatit, në Shkodër vijon të jetë aktiv që prej pasdites së të dielës, 19 prill, ndërsa ka marrë përhapje të madhe këtë të hënë.

Situata vijon të jetë problematike, ndërsa ndotja mjedisore e zonës përreth është tejet shqetësuese.

Si pasojë e zjarrit dhe përhapjes së tij, forca të shumta zjarrfikëse nga Shkodra, Vau i Dejës, Lezha dhe Kamza janë mobilizuar për shuarjen e zjarrit.

Zjarri dyshohet se ka marrë përhapje për shkak të erës, ndërsa tymi dhe aroma e pakëndshme si pasojë e djegies së mbeturinave ka krijuar probleme për zonën e banorët që gjenden aty.

Po ndërhyhet gjithashtu me bote uji dhe mjete të tonazhit të rëndë, për të shuar zjarrin dhe për neutralizimin e tij, por era e fortë nuk është favorizuese.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi reagoi mbrëmjen e së dielës, 19 prill, teksa publikoi pamjet apokaliptike nga landfilli i Bushatit, duke e cilësuar një katastrofë mjedisore dhe shëndetësore.

Lexo dhe: Boçi publikon pamjet apokaliptike nga landfilli i Bushatit: Katastrofë e paralajmëruar nga opozita që ra në vesh të shurdhët

Në reagimin e tij publik në rrjetet sociale, Boçi akuzoi kryeministrin Rama për mbingarkimin e landfillit me mbetje nga disa qarqe dhe për dështimin e inceneratorëve. Ai thekson se zjarri mund të jetë i qëllimshëm për të krijuar hapësira të reja depozitimi.

Deputeti demokrat Bardh Spahia e quajti 'dëshmia e gjallë e dështimit të koordinuar mes pushtetit qendror dhe atij lokal!