UEFA hap hetim ndaj Bayernit, rrezikohen sanksione pas kaosit ndaj Realit

Fitorja spektakolare e Bayernit të Mynihut ndaj Real Madridit në çerekfinalet e UEFA Champions League mund të ketë pasoja të rënda për klubin bavarez. UEFA ka hapur një procedurë disiplinore pas incidenteve të ndodhura në fund të ndeshjes në “Allianz Arena”.

Sfida përfundoi me një fitore dramatike 4-3 për Bayernin, falë golave të vonshëm të Luis Díaz dhe Michael Olise, që siguruan kualifikimin në gjysmëfinale përballë Paris Saint-Germain. Por festa e tifozëve doli jashtë kontrollit: shumë prej tyre kapërcyen barrierat dhe hynë në zonën e rezervuar për fotografët në anë të fushës.

Si pasojë e rrëmujës, disa fotografë mbetën të lënduar. Sipas raportimeve, katër persona (dy burra dhe dy gra) pësuan dëmtime, ndërsa një prej tyre mori plagë në kokë dhe të tjerë u trajtuan për lëndime në shpinë dhe shpatulla.

Pavarësisht kërkimit të faljes nga klubi dhe grupet e tifozëve, UEFA vendosi të nisë hetimin disiplinor. Akuzat përfshijnë pushtim të fushës, bllokim të korridoreve, hedhje objektesh dhe shfaqje mesazhesh të papërshtatshme, përfshirë edhe një banderolë kundër UEFA-s. Një tjetër element rëndues është edhe precedent i mëparshëm i lidhur me përdorimin e mjeteve piroteknike nga tifozët e Bayernit.

Rasti tashmë është në shqyrtim nga organet disiplinore të UEFA-s, që pritet të vendosin për masat ndëshkuese. Klubi gjerman rrezikon një gjobë të majme, që mund të arrijë deri në 100 mijë euro, si dhe mundësinë e mbylljes së pjesshme të stadiumit në ndeshjet e ardhshme europiane.

Në skenarin më të rëndë, disa sektorë të “Allianz Arena” mund të mbyllen për ndeshjen e kthimit ndaj PSG-së në gjysmëfinale, edhe pse vendimi përfundimtar mbetet ende për t’u marrë.