VIDEO/ Boca Juniors thyen tabunë në ‘Monumental’, fiton ndaj River-it pas shtatë vitesh
Boca Juniors rikthehet te fitorja në transfertën më të vështirë të mundshme, duke mposhtur 0-1 River Plate në “Superclásico”-n e zhvilluar në stadiumin ‘Monumental’. Një sukses historik për Boca-n, që nuk fitonte në këtë stadium që nga viti 2017.
Ndeshja, e vlefshme për javën e 15-të të Liga Profesional, u vendos nga një moment i vetëm. Mesfushori Leandro Paredes realizoi golin e fitores nga pika e bardhë në minutat shtesë të pjesës së parë, pas një penalltie të akorduar për prekje të topit me dorë në zonë.
45 minutat e para u karakterizuan nga shumë ndërprerje dhe lojë e ashpër, me plot 17 faulle të sinjalizuara, çka e pengoi ritmin e ndeshjes. Pas daljes së Driussit për shkak dëmtimi, Boca nisi të fitojë terren dhe krijoi rastet më të rrezikshme. Fillimisht, Maxi Salas provoi nga distanca, ndërsa më pas Miguel Merentiel shpërdoroi një mundësi të artë i vetëm përballë portierit.
Goli vendimtar erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Paredes u tregua i saktë nga 11 metra, duke i dhënë avantazhin miqve.
Në pjesën e dytë, River u përpoq të reagonte, ndërsa trajneri Eduardo Coudet bëri ndryshime që në pushim. Megjithatë, Boca ishte sërish më kërcënuese dhe mund të kishte dyfishuar shifrat, por Merentiel gaboi sërish pas një gabimi në mbrojtjen vendase.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, duke i dhënë Boca Juniors një fitore të madhe në një nga derbet më të zjarrta në botë.