‘Policia, prirje agresiviteti ndaj protestuesve’, Kikia: Përdori spray, njëjtë si ato kundër arinjve!
Protesta e fundit e opozitës u shoqërua me një reagim të forcave të rendit, i cili shihet si më agresivi i vërejtur deri më tani, çka ngre pikëpyetje serioze mbi mjetet dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur ndaj qytetarëve.
I ftuar në ‘Kafe Shqeto’, analisti Mentor Kikia, tha se vihet re një prirje në rritje e agresivitetit të policisë nga protesta në protestë, ku çdo tubim i radhës duket se vendos një standard të ri, më të ashpër, në menaxhimin e turmave.
Megjithatë, protesta e 17 prillit, veçohet për shkak të dyshimeve mbi natyrën e mjeteve të përdorura.
Sipas Kikisë, ndërhyrja e policisë duhet të bazohet në parimin e proporcionalitetit, ku forca e përdorur duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me nivelin e dhunës dhe rrezikut që paraqesin protestuesit.
Dyshimet e forta se në protestën e së premtes, 17 prill, ishte përdorur një substancë e cila shërben për të neutralizuar kafshët, kryesisht arinjtë në zonat malore, në një demonstratë me qytetarë është tërësisht i paligjshëm dhe përbën një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.
Për këtë arsye, theksoi Kikia, Prokuroria duhet të hetojë veprimet e Policisë në protestën e opozitës, pasi një veprim i tillë mund të përbëjë jo vetëm tejkalim të kompetencave, por edhe vepra më të rënda penale, si tentativë vrasjeje.
Tani do të doja ta shikoja protestën në dy këndvështrime. Ajo e para si një ngjarje politike, çfarë solli, çfarë prodhoi, çfarë ndryshoi nga herët e kaluara dhe e dyta, marrëdhënia e kësaj ngjarjeje politike në raport me policinë. Po e nis nga kjo e dyta. Ajo që pamë ishte një kundërveprim i forcave të rendit më agresiv se herët e tjera. Do të doja të veçoja këtë të fundit, sepse unë kam mbrojtur gjithmonë idenë dhe e kam thënë që protesta është një, nuk është një shëtitje, nuk është një ekskursion, ku palët përshëndesin njëra-tjetrën dhe i dhurojnë lule apo çokollata. Protesta është një aktivitet ku janë dy palë, protestuesit, të cilët kanë marrë përsipër të mos jenë thjesht shëtitës, por të sulmojnë për të arritur qëllimin për të cilin protestojnë.
Janë forcat e policisë të cilat janë në detyrën e tyre për të mbrojtur institucionet. Këtu kemi të bëjmë me një matje edhe forcash. Por gjithsesi, forca është ajo që ka një rregull që quhet proporcionaliteti dhe ku ka një ligj që përcakton, ka një protokoll që përcakton se si dhe duhet të kundërpërgjigjet policia ndaj protestuesve, në raport me shkallën e dhunës, në raport me mjetet që ata përdorin e kështu me radhë. Kështu që nuk është thjesht një matje e forcës kush është fizikisht më i fuqishëm. Por në protestën e fundit, ajo që pamë ishte që kundërveprimi i policisë ishte më i shpejtë dhe më agresiv. Kjo jo thjesht për faktin që u neutralizuan njerëzit që hidhnin ato mjetet shpërthyese, ato shishet me lëndë djegëse.
Dhe këtu është në të drejtën e saj policia për të parandaluar dëmtimin e institucioneve apo një agresivitet më të madh të aktivitetit. por më tej pastaj besoj që ishte e panevojshme përdorja e gazit, që sikundër u tha, unë besoj që këtu do të duhet të investohet tashmë edhe prokuroria për ta hetuar nëse gazi, ai spray i famshëm që u përdor, dhe që kishte efekt jo vetëm lotsjellës por edhe djegës, lejohej apo nuk lejohej për t'u përdorur në tubime, në demonstrata me qytetarë dhe po ishte realisht ai që ishte, që shërbente për të paralizuar kafshët e egra dhe që me të cilët pajisen kryesisht alpinistët apo të pasionuarit e udhëtimeve nëpër shtigje malore. Atëherë nëse kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash, atëherë Prokuroria do të duhet të ndalet.