Falsifikimi i formularëve dhe dëshira për t’ju shmangur përgjegjësisë me parashkrim

Në këtë shkrim do të përpiqem të bëj një sqarim të shkurtër juridik mbi veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, atë të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve. Arsyeja e shkrimit qëndron në një debat juridik dhe publik lidhur me momentet, mënyrat dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale dhe afatet e shuarjes së ndjekjes penale. Falsifikimi i formularëve është një nga shtatë veprat penale të falsifikimit të dokumenteve të strukturuara në Seksionin VIII të Kreut III të Kodit Penal.

Veprat penale në këtë seksion cilësohen si vepra penale rreziku të cilat nuk kanë nga pikëpamja e anës subjektive qëllime ose motive si element të kryerjes së saj. Mjafton falsifikimi (krijim, ndyshim) ose përdorimi (paraqitje, kalim) i dokumentit dhe vepra penale konsiderohet e konsumuar, pavarësisht arsyeve;mjafton të jetë kryer me dashje si formë faji, dijeni dhe përfytyrim të plotë. Kodi ynë Penal nuk jep një përkufizim të dokumentit. Përveç veprës penale të përgjithshme të falsifikimit të dokumenteve të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal, ekzistojnë edhe një sërë veprash penale të posaçme si falsifikimin kompjuterik, falsifikimi i dokumenteve shkollorë, falsifikimi i akteve të gjendjes civile etj. Një nga këto dokumente specifikë zyrtarë është edhe formulari.

Ndryshe nga dokumentet në kuptim të përgjithshëm, ku përfshihen aktet publike dhe dokumentet private, formulari është dokumenti zyrtar tip, i cili shërben për deklarimin e pasurisë, dekriminalizimin, apo formularë të tjerë në veprimtarinë e taksave, tatimeve, doganave etj.

Në praktikë formularët plotësohen qoftë në përditshmëri, për arsye nga më të ndryshmet si arsimore, shëndetsore, tatimore etj, po ashtu edhe nga subjekte të posaçëm, si funksionarë të lartë shtetërorë ose publik, duke përfshirë qeveritarë, deputetë, magjistratë etj. Për këta të fundit, formulari i deklarimit të pasurisë ose dekriminalizimit është i domosdoshëm për fillimin ose vazhdimin e detyrës. Çdo e dhënë në këto dokumente verifikohet dhe shqyrtohet nga autoritetet kompetente.

E veçanta e veprës penale të falsifikimit të formularëve ndryshe nga çdo falsifikim tjetër është se kryhet edhe me mosveprim ose qëndrim pasiv në ato raste kur nuk plotësohen në këtë dokument të dhëna të cilat kërkohen detyrimisht.

Këtu mund të përmendim emrin,mbiemrin aktual ose të ndryshuar, datëlindjen, vendlindjen, gjendjen gjyqësore, dëbimet ose çdo informacion sipas rubrikave të këtij dokumentit. Edhe pse ligjërisht zyrtarët kanë detyrimin për plotësimin e disa formularëve tip, si ai i interesave pasuror ose tatimor, vetëm për formularin e integritetit ose dekriminalizimi kemi përgjegjësi penale për zyrtarët të cilët nuk i deklarojnë këto të dhëna ose deklarojnë të dhëna të rreme. Burimi i përgjegjësisë penale për këtë vepër është ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit…” neni 5pika 3 gjithashtu dhe parashikimi në germën (b) të vetë formularit. Për formularët e tjerë tip zyrtar të interesave pasurorë ose të deklarimit të tatim/taksave personat mbajnë përgjegjësi penale për vepra të tjera të parashikuara nga nenet 180,181 dhe 257/a të Kodit Penal.

Falsifikimi i formularëve neni 190 i Kodit është e konceptuar në tre paragrafë duke përfshirë në paragrafin e tretë atë që juridikisht njihet si rrethana e cilësuar ose veçanërisht e cilësuar me rrezikshmëri më të lartë shoqërore dhe për rrjedhojë një dënim akoma më të lartë deri në shtatë vite, ndryshe nga paragrafi i parë i cili parashikon një dënim deri në 5 vite burgim. Pikërisht qëllimi i këtij shkrimi është identifikimi i këtij subjekti dhe cilit afat parashkrimi do t’i nënshtrohet.

Në të gjitha veprat penale të falsifikimit që ligjvënësi ka përdorur togfjalëshin “nga personi i cili ka për detyrë ta lëshojë dokumentin” duke identifikuar kështu subjektet të cilët ngarkohen si funksionarë për ta lëshuar, përpiluar dhe nënshkruar dokumentin. Këtu mund të përmendim një mjek, një arsimtar, një punonjës të gjendjes civile, të cilët lëshojnë një certifikatë ose një recetë ose një vërtetim.

Këta subjekte, kanë cilësitë e lëshuesit të dokumentit ose të administrimit të tyre (neni 186/a paragrafi i tretë, falsifikimi kompjuterik) të cilët i ruajnë në arkiva ose sisteme dhe logjikisht kanë mundësinë të paraqesin ose të ndryshojnë të dhëna ose t’i fshijnë të dhëna në këto dokumente. Subjektet e posaçëm në këto dispozita identifikohen për shkak të funksionit e për rrjedhojë edhe masës më të lartë të dënimit.

Ndryshe qëndron parashikimi dhe interpretimi ligjor në veprën penale të falsifikimit të formularëve ku togfjalëshi në paragraf të tretë parashikon si subjekt të posaçëm “hartuesit e dokumentit”. Formularët në kuptim të ligjit janë “dokumente zyrtar tip” të konceptuar si të tillë sipas formatit përkatës dhe në rastin e atij të dekriminalizimit të miratuar në bazë të ligjit 138/2015 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Të dhënat në formular janë njohuri individualë e personit i cili e përpilon dhe askujt tjetër. Këta subjekte mund të jenë juridikisht të përgjithshëm për ato formular në të cilët e dhëna kërkohet të përshkrueht për rrethana të faktit ose situatës siç e përmendëm më sipër për arsye arsimore ose shëndetësore ose si subjekte të posaçëm sipas ku e dhëna e cilat kërkohet të përshkruhet bëhet e tillë për shkak të detyrës dhe ligjit. Dënimi,dëbimi,pasuria nuk i kërkohen cdo individi por vetëm funksionarëve publik për shkak të detyrës.

Mos deklarimi i tyre e bën funksionarin përgjegjës për veprën penale të falsifikimit të formularëve (neni 190) me mos veprim por jo më në paragraf të parë si subjekt i thjesht i përgjithshëm por në paragraf të tretë si hartues subjekt i posaçëm sepse këto formular janë detyrim ligjor për tu plotësuar nga kjo kategori.

Autoriteti i formularit është pikërisht personi i cili detyrohet ta plotësoj të cilin juridikisht ligji e njeh si hartues po ashtu edhe subjekte të tjerë të cilët i administrojnë ose ruajnë ato sipas parashikimeve të nenit 5 pika 4 të ligjit për integritetin e personave që zgjidhen.

Logjikisht lind pyetja kur vepra penale ka tre paragraf dhe në paragraf të tretë kryhet nga hartuesi si subjekt i posaçëm kur do të kryhet në paragraf të parë nga subjekte të përgjithshëm? Për të sqaruar këtë dallim do me duhej një shkrim tjetër i cili do analizonte gjerësisht të gjithë seksionin dhe anën objektive të këtyre veprave por shkurtimisht për lexuesit po sqaroj se më sjelljen omisive pra me mosveprim duke mos deklaruar vepra penale në kuptim të hartuesit njeh vetëm subjektin përpilues, plotësues të cilin e kam trajtuar me sipër.

Diskutimi tjetër juridik të cilin dua ta përfshi në këtë shkrim është cili do të jetë afati i shuarjes së ndjekjes penale sipas parashikimeve të nenin 66 të Kodit Penal. Afatet e shuarjes së veprës penale të parashikuara nga neni në fjalë ndryshojnë specifikisht me bazë llojin e veprës penale dhe masës së dënimit.

Ato fillojnë nga afati më i minimal dyvjeçar për kundërvajtjet penale deri tek afati maksimal dyzetë vite për veprat penale të cilat parashikojnë dënimin me burgim të përjetshëm.

Në rastin e veprës penale të falsifikimit të formularëve afatet e shuarjes së ndjekjes penale janë midis germave (c) dhe (ç) të nenit të mësipërm.

Kur falsifikimi i formularëve  kryhet sipas paragrafit të parë afati i parashkrimit është pesë vite, por në rast së falsifikimi nëpërmjet mosdeklarimit ndodh në paragraf të tretë nga subjekte të posaçëm atëherë afati parashkrimit ndryshon pasi masa e dënimit në maksimum është deri në shtat vite burgim. Për këtë masë dënimi afati i shuarjes së ndjekjes penale është dhjetë vite.

Dëshira dhe qëllimi i zyrtarëve publik për ti shpëtuar ndjekjes penale me parashkrim dhe për të qëndruar në funksion në kundërshtim me ligjin vetëm e njollos misionin dhe funksionin dhe i bën qytetarët mos kenë më besim ndaj tyre.