Haaland bëhet viral pas ndeshjes me Arsenalin, gafë “live” dhe batuta për Bernardon

Sulmuesi i Manchester City-t, Erling Haaland, ishte protagonist jo vetëm në fushë, por edhe pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Arsenalit. Heroi i sfidës që rihapi garën për titull në Premier League u bë menjëherë viral për një moment të sikletshëm gjatë një interviste televizive.

Gjatë deklaratës së tij, Haaland përdori një shprehje të papërshtatshme teksa lavdëronte shokun e skuadrës, Bernardo Silva. Norvegjezi e krahasoi portugezin me legjendën italiane Fabio Cannavaro për aftësitë në duelet ajrore, duke kujtuar një moment gjatë ndeshjes: “Kur e pashë si e largoi topin me kokë, i thashë se e bëri si ai dreq… Cannavaro”, – tha ai, duke shkaktuar reagime dhe buzëqeshje në studio.

Në fushë, Haaland pati një përballje të fortë me mbrojtësin Gabriel Magalhães. Ky i fundit rrezikoi përjashtimin në pjesën e dytë pas një kontakti të ashpër me sulmuesin. “Nëse do të kisha rënë në tokë, ndoshta do të ishte karton i kuq, por unë nuk bie lehtë”, u shpreh Haaland, duke theksuar natyrën fizike të duelit.

Goli vendimtar i ndeshjes erdhi pikërisht pas një përplasjeje me Gabrielin, një moment që Haaland e përjetoi me entuziazëm: “Isha shumë i lumtur. Ishte një moment i madh dhe një fitore e rëndësishme për ne. Patëm shumë duele gjatë ndeshjes dhe në atë moment vendimtar dola fitues. Për pjesën tjetër, le ta gjykojnë të tjerët”.

Në fund, sulmuesi theksoi rëndësinë e përqendrimit maksimal në javët e mbetura: sipas tij, çdo ndeshje tashmë është si një finale në garën për titull.