Vrau 8 fëmijë me armë zjarri në SHBA, autori babai i 7 prej tyre
Një baba ka vrarë shtatë nga fëmijët e tij si dhe një fëmijë tjetër që nuk kishte lidhje familjare me të, gjatë një sulmi me armë në qytetin Shreveport, në shtetin amerikan të Luizianës. Policia e ka përshkruar ngjarjen si një “incident me natyrë familjare”.
Fëmijët ishin nga 1 deri në 14 vjeç, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Të shtënat nisën rreth orës 05:00 të mëngjesit të së dielës. Sipas policisë, autori qëlloi gjithsej 10 persona përpara se të arratisej me një makinë të vjedhur. Më pas, policia e ndoqi dhe e vrau.
Dy gra të rritura, përfshirë nënën e fëmijëve, ndodhen në gjendje kritike.
Autori është identifikuar si Shamar Elkins. Sipas policisë, ai fillimisht qëlloi një grua në rrugë dhe më pas shkoi në një banesë aty pranë, ku vrau tetë fëmijët, njëri prej të cilëve nuk ishte i familjes së tij.
Lexo edhe: Tragjedi në SHBA/ Sulmi me armë lë pas 8 fëmijë të vrarë! Autori vritet nga policia
Një nga viktimat arriti të largohej dhe të kërkonte ndihmë, ndërsa një fëmijë tjetër u hodh nga çatia dhe ndodhet në spital. Policia beson se autori ka vepruar i vetëm.
Kryetari i bashkisë së Shreveport, Tom Arceneaux, e cilësoi ngjarjen si “ndoshta tragjedinë më të rëndë në historinë e qytetit”.
“Kemi familje të shkatërruara, kemi efektivë policie të tronditur. Kjo prek të gjithë komunitetin dhe ne vajtojmë së bashku me këto familje,” u shpreh ai.
Ky konsiderohet sulmi më vdekjeprurës në SHBA që nga janari i vitit 2024, sipas të dhënave për dhunën me armë.
Policia tha se të gjitha viktimat e vdekura ishin të mitur dhe se rasti ka natyrë familjare. Pas sulmit, autori rrëmbeu një automjet dhe tentoi të arratisej, por u neutralizua nga policia pas një ndjekjeje në një zonë tjetër.
Autoritetet lokale dhe shtetërore kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.