Guardiola nuk feston pas fitores me Arsenalin, mesazhi që u jep lojtarëve të Manchester Cityt

Pep Guardiola nuk u tregua entuziast pas triumfit 2-1 të Manchester Cityt ndaj Arsenalit në “Etihad”, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në Premier League.

Edhe pse skuadra e tij mori tri pikë jetike falë golave të Rayan Cherki dhe Erling Haaland, tekniku katalanas zgjodhi të mbajë këmbët në tokë.

“Nuk do të thosha se e shijova. Ishte… në rregull. Kjo fitore na jep shpresë, kaq”, deklaroi Guardiola, duke theksuar se gara për titull mbetet ende e hapur dhe se City nuk është në krye.

Ai kishte edhe një mesazh të qartë për lojtarët: të shijojnë momentin, por pa humbur fokusin për ndeshjet e mbetura.

Guardiola nuk kurseu as humorin kur foli për betejat fizike në fushë, duke përmendur vështirësinë e Erling Haaland përballë dyshes së mbrojtjes së Arsenalit, Gabriel Magalhães dhe William Saliba.

“Nuk do të doja të isha në vendin e tij. Do të preferoja të lexoja një libër”, u shpreh ai me batutë, duke vlerësuar gjithsesi paraqitjen e sulmuesit norvegjez.