Kategoria Superiore/ Partizani dhe Bylisi ndahen në paqe në ‘Arenën e Demave’

Partizani dhe Bylis kanë ndarë pikët në një barazim 1-1 në kryeqytet, në një ndeshje të luftuar deri në fund në “Arenën e Demave”, në kuadër të kampionatit shqiptar.

Sfida nisi me surprizë, pasi miqtë kaluan në avantazh që në minutën e 2-të me Ferreira, duke shfrytëzuar një gabim në mbrojtjen e vendasve.

Partizani reagoi shpejt dhe u kthye në lojë në minutën e 19-të, kur Isgandarli u tregua i saktë nga pika e bardhë, pas një rishikimi me VAR që solli edhe penalltinë.

Sulmuesi i kuq ishte një nga më aktivët në pjesën e parë, por edhe i pafat, duke humbur disa raste të mira për golin e dytë.

Në pjesën e dytë, Partizani mori kontrollin e lojës, por gjithçka u komplikua në minutën e 54-t, kur Ismaili u ndëshkua me karton të kuq pas një prekjeje me dorë në zonë, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.

Bylisi tentoi të shfrytëzonte superioritetin numerik, por portieri Qirko dhe mbrojtja vendase rezistuan deri në fund.

Në minutat e fundit pati tension, përplasje dhe pretendime për penallti nga të dyja kampet, por rezultati nuk ndryshoi.

Në fund, ndeshja u mbyll 1-1, një rezultat historikisht i rrallë mes dy skuadrave që në përballjet e mëparshme kishin shumë pak barazime.