Reagimi i trajnerit të Arsenalit pas humbjes me Manchester Cityn: Ka ende rrugë për titullin
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur pas humbjes 2-1 ndaj Manchester Cityt në “Etihad Stadium”, duke insistuar se gara për titull në Premier League mbetet ende e hapur.
Arteta theksoi se diferenca mes dy skuadrave ishte minimale dhe se ndeshja u vendos nga detajet dhe cilësia individuale në momentet kyçe.
“Kur nuk i shfrytëzon rastet dhe ata kanë cilësi individuale, e humb ndeshjen. Nuk mendoj se kishte shumë dallim mes skuadrave”, u shpreh ai, duke përmendur edhe episodet vendimtare që çuan në golat e Cityt.
Sipas tij, Arsenali pati një reagim të mirë dhe e çoi ndeshjen në zonat e planifikuara, por mungoi konkretizimi.
“E dinim se kishim një shans të madh për ta fituar. Ishim aty, por jo mjaftueshëm afër”, shtoi trajneri spanjoll.
Pavarësisht zhgënjimit, Arteta nuk e sheh garën të mbyllur dhe kërkon fokus të menjëhershëm te ndeshjet e mbetura.
“Tani duhet të rivendosemi. Ka edhe pesë ndeshje dhe shumë gjëra pozitive nga kjo paraqitje”, përfundoi ai.
Në tabelën e Premier League, Arsenali mban ende kryesimin me tre pikë avantazh ndaj Manchester Cityt, por kampionët në fuqi kanë një ndeshje më pak dhe mund të kalojnë në vendin e parë.