Aksident në Qafë-Gjashtë të Sarandës, një i plagosur në spital
Një aksident rrugor është regjistruar në hyrje të qytetit të Sarandës, në zonën e Qafë-Gjashtës, ku janë përplasur dy automjete tip “Audi”.
Sipas të dhënave paraprake, në aksident janë përfshirë mjeti me targë AB 261 JO, me drejtues Erjon Hamzaj, 40 vjeç, dhe mjeti tjetër “Audi” me targë AB 777 VF, me drejtuese Albana Kuka, 38 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka mbetur i plagosur 40-vjeçari Erjon Hamzaj. Sipas bluzave të bardha të Sarandës nga përplasja e mjeteve ai pati dëmtime në gjoks dhe në mushkri. Kjo ka bërë që mjekët të konkludonin për nisjen e tij me ambulancë drejt Tiranës. Mësohet se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.