Van Dijk ‘godet’ në fund, Liverpooli fiton derbin dramatik ndaj Evertonit

Liverpooli ka marrë një fitore spektakolare në derbin ndaj Evertonit, duke triumfuar 2-1 në kuadër të javës së 33-të në Premier League, falë një goli në minutat shtesë.

“Të kuqtë” e nisën më mirë takimin dhe kaluan në avantazh në minutën e 29-të me Mohamed Salah, i cili përfitoi nga hapësira në zonë dhe finalizoi saktë për 1-0.

Në pjesën e dytë, Evertoni reagoi dhe riktheu baraspeshën në minutën e 54-të me golin e Beto, duke rritur ndjeshëm tensionin në fushë.

Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, dramatika kulmoi në shtesë.

Pas një goditjeje këndi, kapiteni Virgil van Dijk u shkëput më lart se të gjithë dhe me një goditje të saktë me kokë shënoi golin e fitores në minutën 90+10’.

Një triumf i madh për Liverpoolin, që jo vetëm fiton derbin, por edhe merr tri pikë jetike në garën për objektivat e fundit të sezonit.

Me këtë sukses, “The Reds” forcojnë pozitën e pestë në tabelë me 55 pikë, duke mbajtur gjallë shpresat për një mbyllje pozitive të kampionatit.