'Sulmi ndaj medias në protestë', Bilani: Policia më sulmoi me spray edhe pse u identifikova si gazetar
I ftuar në intervistën e mesditës në Syri Televizion, fotoreporteri Felix Bilani ka rrëfyer përvojat e tij gjatë pasqyrimit të protestave të opozitës, duke denoncuar një model të përsëritur të dhunës policore të drejtuar specifikisht ndaj punonjësve të medias. Kulmi i kësaj dhune, sipas dëshmisë së tij, ishte një sulm i drejtpërdrejtë me spray djegës, pavarësisht se ishte identifikuar qartë si gazetar në detyrë.
Në protestën e fundit, situata përshkallëzoi në një sulm personal.
“Më shtynë me mburojë dhe me shkop, më ra telefoni teksa xhiroja,” tregon ai.
Në tentativë për të qartësuar pozicionin e tij, Bilani i është afruar efektivit dhe i ka treguar bexhin e identifikimit.
“I thashë ‘jam gazetar’, por në atë moment ma ka plasur në sy direkt bombulën e sprejit,” shprehet ai, duke shtuar se e njëjta gjë i ka ndodhur edhe kolegut të tij, Aulon Kalaja, pak sekonda më vonë.
Gjatë intervistës, Bilani listoi një seri incidentesh të mëparshme ku media ka qenë në shënjestër. Ai kujton hedhjen e bombulave të gazit lotsjellës pikërisht në zonën ku ishin grupuar gazetarët pranë Parlamentit, si dhe përdorimin e topave të ujit ndaj tij dhe kolegut Klajdi te ura e Hotel Dajtit.
Në raste të tjera, policia u ka hedhur gaz te këmbët gazetarëve për t'i penguar të raportojnë. Këto ngjarje dëshmojnë për një strategji të qëllimshme për të frikësuar dhe penguar punën e gazetarëve. Përtej dhunës fizike, kjo sjellje lidhet me një mentalitet politik që cilësohet si “sekt” dhe “regjim”.
Sipas dëshmisë, qeveria Rama kërkon të kontrollojë çdo lajm, dhe forcat e rendit veprojnë me një logjikë karrieriste, ku shfaqja e forcës shërben për të fituar grada.
Deklarata e plotë:
“Këta janë sekt, nuk është se janë një parti ose një krah politik. Ky është sekt. Dhe ky sekt është i brumosur që çdo lajm duhet ta kontrollojë partia.
Ky është problemi i këtij sekti dhe dhuna që është ushtruar me gazetarët, në të paktën pesë protestat e fundit nuk mbaj mend që në 35 vjet të ketë ndodhur ndonjëherë si kjo.
Ka pasur një moment për shembull, para disa protestave, që kolegët tanë nuk kanë mundur të raportonin dot dhe policia i hidhte gazin te këmbët gazetarëve te parlamenti, ku dihet që te parlamenti gazetarët grupohen në një krah aty.
Aty hidhnin bombulën e gazit. Edhe te protesta tjetër, tek ura e Hotel Dajtit, kolegu jonë, Klajdi, qëllohet me top uji. Më pas qëllohem unë me kolegët e mi mbrapa, aty s’kishte protestues. Asnjë këmbë protestuesi.
Diçka e tillë ka ndodhur edhe në Bllok. Protestuesit ishin anësore. Unë mbas pemës, ai qëllonte me ujë dhe nuk e ndalonte. Rasti tjetër, konflikti ndërmjet deputetit Strazimiri dhe deputetes Vokshi përpara selisë së PD-së.
Donin të pengonin policinë, sepse topi i ujit mori drejt, domethënë shkonte përpara selisë. Unë po xhiroja me telefon dhe aparatin po e mbaja këtu, direkt zgjat dorën, ma jep turive domethënë.
Te protesta e fundit na hodhën spray. Nga përvoja ime në terren, nuk e mendoja të atillë.
Nuk kishin arsye pse policia të dilte me atë lloj fuqie në rrugë sepse ushtari i ri do të bëhet rreshter.
Në të gjithë botën hidhet molotov, në Berlin, në Paris, në Athinë. Kudo janë protesta me Molotov, thyen dyqane, goditet policia,etj. Por nuk ka ndodhur dhe unë nuk besoj të ndodhi, nuk kam parë të paktën edhe në media, një dhunë të tillë nga policia me sprej dhe pak sekonda mbas meje është goditur kolegu Aulon Kalaja.
Unë jam goditur se më shtyn me mburojë dhe me shkop, m’ra dhe telefoni në tokë se po xhiroja me telefon. Kthehem dhe i heq kundragazin dhe i tregoj bexhin.
Jam gazetar, i thashë. Në atë moment ma ka plasur në sy direkt bombulën. Pra, kur unë u uluras jam gazetar, bërtas që ti ta dëgjosh.
Domethënë, ai ma plas direkt në sy.. Tani, sulmohet lideri i opozitës, sulmohen deputetë të opozitës, sulmohen gazetarë që janë zë kundër mentalitetit dhe regjimit. Sepse ky i Ramës, për mendimin tim, është regjim. Nuk mund të jetë më një drejtim shteti, është regjim. Atëherë, ku po shkojmë?