VIDEO/ Një gol i vetëm në Verona, Milani ngjitet sërish në vend të dytë
Milani ka marrë një fitore minimale, por shumë të vlefshme ndaj Hellas Verona, duke triumfuar 1-0 në “Stadio Marcantonio Bentegodi” dhe duke u ngjitur në vendin e dytë në Serie A.
Kuqezinjtë e Massimiliano Allegrit nuk e nisën mirë sfidën, duke reflektuar formën e luhatshme të javëve të fundit.
Rasti i parë serioz erdhi vetëm në minutën e 32-të me Adrien Rabiot, por tentativa e tij u ndal lehtësisht nga portieri vendas.
Megjithatë, francezi u shndërrua në protagonist në fundin e pjesës së parë.
Pas një asisti perfekt nga Rafael Leao, ai finalizoi me qetësi për të kaluar Milanin në avantazh.
https://streamff.link/v/16439185
Në anën tjetër, Verona reagoi dhe iu afrua barazimit, por Mike Maignan u tregua vendimtar me një pritje të madhe në një duel një kundër një.
Pjesa e dytë solli më shumë presion nga vendasit, por Milani rezistoi.
Madje, Matteo Gabbia shënoi një gol që u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa Alexis Saelemaekers iu mohua goli nga një ndërhyrje dramatike mbi vijën fatale.
Në fund, mjaftoi goli i Rabiot për t’i dhënë Milanit tri pikë të arta dhe fitoren e 11-të radhazi ndaj Veronës në përballjet direkte.
Ndërkohë, situata për Veronën mbetet kritike, me skuadrën që vazhdon të jetë në fund të tabelës dhe gjithnjë e më pranë rënies nga elita.