Ëndrra e një djaloshi

Kur më tha kushëriri im Mili, në internim kisha veç një ëndërr, mendova për ndonjë vajzë. Se ato mote ai qe as 20 vjeç. E degdisën nga që vëllai i madh u arratis në Greqi. Ç’ëndërr tjetër do i trokiste një djaloshi? Ndaj i sigurt nuk e pyeta, por shpejt pohova:

-Për dashurinë, normal.

-Ncuk,-ma përmbysi.

Nuk më la gjatë në hamendësimet e mija.

-Të më flisnin njerëzit, kaq ëndërroja,-më tha.

U çudita qe pak. Ëndërr të të flisnin njerëzit! M’u duk marri.

-Po, veç atë ëndërr kisha. Se gjithë ditën, gjithë muajt, gjithë vitet nuk më tha kush një fjalë, një përshëndetje. Qoftë dhe një tundje koke a buzagaz me pak gaz. Askush s’më pyeti në isha mirë a isha sëmurë. Dilja nga banesa në mëngjes si hije dhe ashtu gjithë ditën, por më dukej se nuk bëja as hije. Edhe në ditë me diell. I vetëm, paçka se isha rrethuar me njerëz e punoja mes tyre në fushën e paanë të Myzeqesë.

Plot 17 vite jetoi kështu kushëriri im. Me gojë, por i pagojë. Me veshë, por padëgjuar një tingull të vetëm drejt tij. Jo fjali që s’bëhej fjalë. Edhe në pyll të qe ndonjë zog do t’i ulej te supi t’i cicërinte. Qoftë dhe për keqardhje. Dhe në shkretëtirë të gjendej një erë e lehtë rëre do e mbështillte.

Mili kishte një ëndërr, t’i fliste dikush. Ta shihte në sy, t’i bënte një pyetje të thjeshtë. Kaq. Nga që donte ta kuptonin se ai qe njeri dhe ta besonte vetë që edhe ai qe si ata rreth tij. Njeri.