E rëndë te Ujëvara e Sotirës, ndërron jetë shoferi i turistëve, ra nga lartësia

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në zonën e "Ujëvarës së Sotirës" në fshatin Dardhë, ku një 53-vjeçar nga Durrësi ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë.

Viktima ishte shoferi i një furgoni që transportonte një grup turistësh të huaj nga qyteti i Durrësit drejt pikës turistike të njohur si "Ujëvara e Sotirës".

Në momentin që shoferi po shëtiste me turistët, ai është rrëzuar aksidentalisht nga një zonë shkëmbore, duke pësuar lëndime fatale që i kanë kushtuar jetën. Trupi i tij i pajetë është transportuar menjëherë në Morgun e Spitalit Rajonal Berat për t'u nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.

Pas ngjarjes, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore paraprake, duke kryer kqyrjen e vendit të aksidentit. Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë të hetojnë për shkaqet e këtij aksidenti tragjik që mori jetën e shoferit të grupit turistik.

Njoftimi i policisë:

Gramsh/Informacion paraprak

Më datë 19.04.2026, rreth orës 12:45, tek Ujëvara e Sotirës, shtetasi R. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtronte aktivitet në transportin e vizitorëve për qëllime turistike drejt zonës, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht gjatë lëvizjes në këmbë dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.