Fier, arrestohet 28-vjeçari norvegjez me kokainë në automjet, dyshohet për shpërndarje droge
Në qarkun e Fier është arrestuar shtetasi norvegjez Sebastian Temples, 28-vjeç, i dyshuar për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike të forta.
Sipas informacioneve zyrtare, i riu banonte përkohësisht në zonën e Patosit, në një ambient të marrë me qira në fshatin Sheqishte. Ai u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj tij dhe automjetit që drejtonte.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej me qëllim përfitimi financiar.
Në pranga ka rënë shtetasi S. T., 28 vjeç, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Njoftimi i Policisë:
DVP FIER
Banonte përkohësisht në Patos dhe dyshohet se ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta (kokainë), vihet në pranga 28-vjeçari nga Norvegjia.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast në këtë fushë.
Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi S. T., 28 vjeç, banues përkohësisht në një ambient të marrë me qira në fshatin Sheqishte, Patos.
Nga kontrolli i ushtruar ndaj tij dhe automjetit (të marrë me qira) që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej me qëllim përfitimi financiar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.