Roma dhe Atalanta ndajnë pikët në ‘Olimpico’, barazim që nuk i shërben askujt

Roma dhe Atalanta u ndanë në barazim 1-1 në javën e 33-të të Serie A, një rezultat që nuk i ndihmon shumë asnjërën skuadër në objektivat e tyre evropiane.

Sfida në “Olimpico” nisi me ritëm të mirë nga miqtë, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 12-të me golin e Krstoviç. Atalanta u tregua e rrezikshme në kundërsulm, ndërsa Roma hasi vështirësi për të depërtuar në mbrojtjen kundërshtare.

Megjithatë, vendasit reaguan dhe barazuan në fundin e pjesës së parë. Ishte Hermoso që realizoi me një kthesë të bukur në minutën e 45-të, duke rikthyer ekuilibrin në ndeshje para pushimit.

Në pjesën e dytë, Roma u shfaq më kërkuese dhe ishte shumë pranë përmbysjes, por portieri Carnesecchi bëri diferencën me disa pritje vendimtare ndaj Soulé dhe Malen. Hermoso ishte sërish protagonist, duke goditur edhe traversën me kokë, por pa arritur të gjejë golin e dytë.

Në fund, sfida u mbyll në barazim 1-1, me Romën që ngjitet në kuotën e 58 pikëve duke kapur vendin e pestë, ndërsa Atalanta mbetet në vendin e shtatë me 54 pikë, duke humbur terren në garën për zonën evropiane.