Elbasani siguroi matematikisht ‘Final Four’, Gvozdenovic realist: Fitorja erdhi edhe me fat
AF Elbasani siguroi matematikisht një vend në “Final Four” pas fitores me përmbysje 2-1 ndaj Teuta, ndërsa trajneri Ivan Gvozdenovic u shfaq i matur në deklaratat pas ndeshjes.
“Jemi zyrtarisht në Final Four dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ishte moment i vështirë për ne, sepse kishim shumë mungesa. I lumtur për djemtë, arritëm objektivin për të luftuar për titullin”, u shpreh fillimisht tekniku i verdhebluve.
Gvozdenovic analizoi edhe aspektin taktik të sfidës, duke theksuar ndryshimet gjatë lojës: “Sot ishte një shans për Qosen. E filluam me 4-2-3-1. Mbas minutës së 20-të, Qose ishte si numër ‘10’. Në pjesë e parë nuk ishim mirë”.
Sipas tij, reagimi në pjesën e dytë ishte vendimtar për përmbysjen e rezultatit: “Në fraksionin e dytë, bëmë më mirë. Teuta luajti më mirë në 45 minutat e para se sa ne. Bunjaku bëri mirë. Dihet që Lajthia është mungesë e madhe për ne”.
Megjithatë, trajneri i Elbasanit nuk nguroi të pranojë se skuadra e tij pati edhe fat në këtë sukses: “Edhe barazimi do të ishte rezultati i drejtë, sot ishim me fat”.
Me këtë fitore, Elbasani jo vetëm siguron “Final Four”, por edhe mbetet një pretendent serioz në garën për titull, ndërsa stafi teknik kërkon të mbajë skuadrën të fokusuar për sfidat vendimtare që priten.