Irani paralajmëron mbyllje të plotë të Ngushticës së Hormuzit! Trump mbledhje urgjente

Situata në Ngushticën e Hormuzit po përshkallëzohet, teksa Garda Revolucionare të Iranit kanë paralajmëruar mbylljen e plotë të saj, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të kushteve të armëpushimit, raporton agjencia italiane ANSA.

Në një deklaratë zyrtare, ata njoftuan se nga mbrëmja e sotme Ngushtica do të qëndrojë e mbyllur deri në heqjen e bllokadës detare ndaj anijeve dhe porteve iraniane, për të cilën fajësojnë Uashingtonin.

Sipas tyre, ndonëse disa anije kaluan një ditë më parë, SHBA nuk ka ndërmarrë hapa për të lehtësuar situatën, çka sipas Teheranit përbën shkelje të marrëveshjes. Garda Revolucionare paralajmëroi gjithashtu se çdo anije që tenton të lëvizë drejt Ngushticës së Hormuzit mund të konsiderohet si bashkëpunëtore me armikun dhe të kthehet në objektiv.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka bërë të ditur se Teherani do të mbajë kontrollin e ngushticës “deri në përfundimin përfundimtar të luftës”, ndërsa po shqyrton propozime të reja të Shteteve të Bashkuara, të përcjella përmes Pakistanit, pa dhënë ende një përgjigje zyrtare.

Në SHBA, presidenti Donald Trump ka thirrur një mbledhje urgjente në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar zhvillimet e fundit. Sipas burimeve të cituara nga Axios dhe ANSA, zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar se në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë, ekziston rreziku që konflikti të rifillojë në ditët në vijim.

Më herët gjatë ditës, Trump deklaroi se bisedimet me Iranin po vijojnë në mënyrë pozitive, por pranoi se Teherani kishte synuar të mbyllte sërish ngushticën. “Nuk mund të na shantazhojnë,” u shpreh ai, duke shtuar se priten zhvillime të reja brenda ditës.

Tensionet janë rritur edhe më tej pas një incidenti të ndodhur të shtunën, kur dy anije me flamur indian që transportonin naftë bruto u sulmuan teksa përpiqeshin të kalonin në Ngushticën e Hormuzit, sipas konfirmimit të Ministrisë së Jashtme të Indisë.