Ndërron jetë në moshën 77-vjeçare aktorja e njohur franceze Nathalie Baye

Një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë franceze, Nathalie Baye, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare, raportojnë mediat franceze.

Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi atë si një nga figurat më të dashura të kinemasë, duke thënë se ishte “një aktore me të cilën kemi dashur, kemi ëndërruar dhe jemi rritur”.

Fituesja e katër çmimeve César – ekuivalenti francez i Oscars – Baye luajti në rreth 80 filma gjatë karrierës së saj, që nisi në fillim të viteve 1970. Familja e saj konfirmoi për agjencinë AFP se ajo ndërroi jetë në banesën e saj në Paris, pas një sëmundjeje neurodegjenerative të tipit demencë.

E lindur në një familje artistësh në Normandi në vitin 1948, ajo e nisi karrierën si balerinë përpara se t’i përkushtohej aktrimit. Suksesi i parë i madh erdhi në vitin 1973 me filmin “La Nuit Américaine” të François Truffaut.

Gjatë një karriere që zgjati mbi pesë dekada, Baye u bë një nga aktoret më të dekoruara në Francë. Ajo fitoi çmimin e parë César në vitin 1981 për rolin dytësor në filmin e Jean-Luc Godard “Sauve qui peut (la vie)”, ndërsa në vitet pasuese fitoi edhe çmime të tjera si aktorja më e mirë dhe aktorja më e mirë dytësore.

Në vitin 1999, ajo u shpall aktorja më e mirë në Festivalin e Venecias për filmin “Une Liaison Pornographique”.

Në karrierën ndërkombëtare, ajo mori pjesë edhe në filma të njohur si “Catch Me if You Can” i Steven Spielberg, ku luajti rolin e nënës së Leonardo DiCaprio.

Në vitet e fundit, ajo u shfaq në serialin e njohur “Call My Agent!” dhe në filmin “Downton Abbey 2”, si dhe në dramën franko-libaneze të vitit 2023 “La nuit du verre d'eau”.

Baye kishte një vajzë, aktoren Laura Smet, nga lidhja e saj me këngëtarin legjendar francez Johnny Hallyday.

Përveç karrierës artistike, ajo ishte e angazhuar edhe në çështje sociale, si lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe reformat për eutanazinë në Francë.

Homazhe të shumta erdhën nga kolegë dhe figura publike, ndërsa aktorja Isabelle Adjani e cilësoi si një “aktore me spontanitet të jashtëzakonshëm”.

Ministrja e Kulturës e Francës, Catherine Pégard, tha se Baye “ndriçoi një kapitull të gjatë të historisë së kinemasë franceze me talentin dhe personalitetin e saj rrezatues”.

Familja e saj bëri të ditur se ajo vuante nga demenca me trupëza Lewy, një sëmundje neurodegjenerative.