Elbasani përmbys Teutën në minutën e 95-të, Vllaznia kryeson me vetëm një pikë më shumë

AF Elbasani mori një fitore dramatike 2-1 në transfertë ndaj Teutë, në javën e 32-të të Abissnet Superiores, duke mbajtur gjallë plotësisht garën për titull dhe duke iu afruar ndjeshëm Vllaznisë kryesuese, që ka vetëm një pikë më shumë.

Ndeshja në Durrës nisi me ritëm të lartë dhe me penallti për vendasit në minutën e 23-të, të cilën Arifi e ktheu në gol për 1-0. Teuta u duk më e organizuar në pjesën e parë, duke ruajtur avantazhin deri në pushim.

Në fillimin e pjesës së dytë, Elbasani reagoi fuqishëm dhe fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it, të cilën Diallo e shndërroi në gol për 1-1 në minutën e 53-të.

Sfida u bë edhe më dramatike në minutat e fundit, kur Elbasani fitoi një tjetër penallti në një aksion të ndalur me faull në zonë. Diallo dështoi nga pika e bardhë, edhe pse goditja u përsërit.

Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, erdhi goditja vendimtare në minutën e 95-të. Pas një goditjeje këndi dhe një momenti shpërqendrimi në mbrojtjen e Teutës, Ze Gomesh shënoi golin e fitores 2-1, duke përmbysur rezultatin në frymën e fundit.

Me këtë sukses, Elbasani përfiton nga ndalesa e Vllaznia dhe ngjitet shumë pranë vendit të parë, duke e bërë edhe më të nxehtë garën për titull në kampionat. Teuta, nga ana tjetër, humb një mundësi të madhe për t’u afruar me zonën “Final Four”.