Leipzigu nuk ndalet, fiton ndaj Frankfurtit dhe ruan vendin e tretë

Leipzigu vazhdoi me formën e shkëlqyer në Bundesligë, duke mposhtur 3-1 Eintracht Frankfurtin në transfertë dhe duke forcuar pozitat në zonën e Ligës së Kampionëve.

Ndeshja në “Deutsche Bank Park” nisi me ritëm të lartë dhe raste në të dyja portat, por ishte talenti Yan Diomande që zhbllokoi rezultatin me një gol individual të bukur, duke kaluar disa mbrojtës dhe finalizuar saktë. Frankfurti reagoi dhe arriti të barazonte para pushimit me Hugo Larsson, pas një aksioni të krijuar nga Kalimuendo.

Në pjesën e dytë, Leipzigu shtoi presionin dhe krijoi më shumë raste, me portierin Zetterer që mbajti vendasit në lojë me disa pritje vendimtare. Megjithatë, në minutat e fundit, Antonio Nusa realizoi një goditje të fuqishme për 2-1, duke i rikthyer avantazhin miqve.

Fitorja u vulos nga Conrad Harder, i cili shënoi nga afër pas asistit të Nusa-s, duke mbyllur ndeshjen 3-1.

Me këtë sukses, Leipzigu regjistron fitoren e gjashtë në shtatë ndeshje dhe mbetet fuqishëm në garë për një vend në Champions League, ndërsa Frankfurti humb terren në garën për pozitat evropiane.