Tottenhami pëson goditje në fund, Brightoni barazon në minutën e 95-të

Tottenham Hotspur nuk arriti të marrë një fitore jetike në Premier League, duke u ndalur në barazim 2-2 ndaj Brighton & Hove Albion, në një ndeshje dramatike që u vendos në sekondat e fundit.

Sfida nisi me tension, me Tottenhamin që kërkonte me çdo kusht pikët për mbijetesë, por fillimisht u vu në vështirësi nga miqtë. Brightoni rrezikoi i pari, duke goditur shtyllën pas një aksioni të rrezikshëm në zonë. Megjithatë, vendasit reaguan dhe kaluan në avantazh para pushimit falë një momenti kreativ të Xavi Simons, i cili asistoi për Pedro Porron, që shënoi me kokë për 1-0.

Në fillimin e pjesës së dytë, Tottenhami ishte pranë golit të dytë me Simons, por Brighton u rikthye shpejt në lojë. Kaoru Mitoma barazoi shifrat me një vole të bukur, duke ndryshuar ritmin e ndeshjes në 1-1.

Në minutat në vazhdim, të dy skuadrat krijuan raste, me Simons sërish protagonist, këtë herë duke goditur shtyllën, ndërsa portieri Verbruggen mbajti gjallë Brightonin me disa pritje vendimtare. Por në minutën e 82-të, Simons riktheu avantazhin për Spurs me një goditje të fuqishme nga distanca për 2-1.

Kur dukej se Tottenham do të merrte tri pikët, erdhi goditja e rëndë në minutën e 95-të. Georginio Rutter mbeti i lirë në zonë dhe shënoi golin e barazimit 2-2, duke i hequr fitoren skuadrës londineze në sekondat e fundit.

Ky barazim e lë Tottenhamin pa fitore në 15 ndeshjet e fundit në kampionat dhe e fut gjithnjë e më shumë në rrezik serioz për rënie nga Premier League.