Bellai, pas barazimit me Vllazninë: Na mungon besimi te goli, por nuk e ulim kokën
Trajneri i Vorës, Arjan Bellai, ka analizuar barazimin 0-0 ndaj Vllaznisë në javën e 32-të të Superiores, duke theksuar se skuadra e tij tregoi organizim të mirë dhe sakrificë në fushë, por vuan ende në finalizim. Ai pranoi hapur problemin e mungesës së besimit para portës, por u shpreh optimist për vazhdimësinë e sezonit.
“Besoj se bëmë mirë në të gjitha fazat. Djemtë treguan sakrificë dhe edhe një pikë është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Pjesa e parë ishte më e mira jona,” u shpreh Bellai.
Ai theksoi se plani taktik për të bllokuar mesfushën e Vllaznisë funksionoi, sidomos me aktivizimin e Kasharit dhe Dalipit. “Në pjesën e parë ishim më mirë dhe e kontrolluam lojën,” shtoi ai.
Megjithatë, në fraksionin e dytë Vora nuk arriti të ruajë të njëjtin ritëm dhe u vu në vështirësi në fazën ofensive. Bellai pranoi se skuadra nuk ishte e qetë në pasime dhe nuk shfrytëzoi rastet nga goditjet standarde.
“Na mungoi qetësia në fazën ofensive dhe nuk i shfrytëzuam rastet. Kishim mundësi nga goditjet standarde, por jo efikasitetin e duhur,” tha trajneri.
Ai veçoi edhe paraqitjen e Karricës, i cili u rikthye pas një periudhe të gjatë jashtë fushave. “Ka treguar cilësi dhe do kohë të rikthehet plotësisht,” u shpreh Bellai.
Trajneri pranoi hapur edhe problemin kryesor të skuadrës: finalizimin. “Nuk kemi besim për të shënuar gol, ky është problemi ynë,” deklaroi ai.
Pavarësisht kësaj, Bellai mbeti optimist: “Nuk ulim kokën poshtë, do vazhdojmë të punojmë. Na presin ndeshje të vështira, duke filluar nga Egnatia. Duhet të përmirësojmë goditjet standarde dhe mbushjen e zonës,” përfundoi ai.