Ushtria izraelite vret 2 punonjësit e UNICEF në Gaza, Hezbollah mohon lidhjen me vrasjen e paqëruajtësit francez në Liban

Situata humanitare dhe e sigurisë në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pas dy ngjarjeve në Gaza dhe Liban.

Në Rripin e Gazës, UNICEF ka bërë të ditur se ka pezulluar operacionet e saj në veri të zonës, pasi dy shoferë kamionësh të kontraktuar nga agjencia u vranë nga ushtria izraelite në një pikë furnizimi me ujë në Gazën veriore. Sipas UNICEF, incidenti ndodhi në pikën e mbushjes së ujit Mansoura në qytetin e Gazës, ku u plagosën edhe dy persona të tjerë.

Agjencia e OKB-së theksoi se pika e ujit përdoret disa herë në ditë për të furnizuar qindra mijëra banorë me ujë të pijshëm nga linja e furnizimit Mekorot, ndërsa aktivitetet në terren janë pezulluar deri në përmirësimin e kushteve të sigurisë.

Ndërkohë, në Liban, Lëvizja shiite Hezbollah ka mohuar çdo përfshirje në sulmin ndaj forcave paqeruajtëse të UNIFIL në jug të vendit, ku një paqeruajtës francez humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Incidenti ka përshkallëzuar tensionet politike brenda vendit, me akuza të drejtuara nga disa palë ndërkombëtare.

Në një deklaratë, Hezbollahu kërkoi kujdes në përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjen, duke shprehur habi për ato që i quajti “akuza të nxituara dhe të pabazuara”. Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron ia ka atribuar përgjegjësinë grupit, ndërsa UNIFIL ka folur për përfshirje të “aktorëve jo-shtetërorë”.

Hezbollahu ka reaguar gjithashtu ashpër ndaj Presidentit libanez Joseph Aoun, me përfaqësues të tij që deklaruan se “rezistenca do të vazhdojë” dhe se “durimi strategjik ka marrë fund”, duke rritur më tej tensionet politike në vend.