Tonali rrëfen ndryshimin e jetës pas pezullimit: Pas Bosnjës, nuk dola për ditë të tëra

Mesfushori i Newcastle United dhe i Kombëtares së Italisë, Sandro Tonali, ka folur hapur për periudhën e vështirë që ka kaluar pas pezullimit për çështjen e basteve, duke treguar se si kjo përvojë i ka ndryshuar plotësisht jetën dhe mentalitetin.

Në një intervistë për Sky Sport UK, Tonali pranoi se është distancuar nga rrjetet sociale dhe ka ndryshuar stilin e tij të jetesës. “Nuk i përdor më rrjetet sociale, nuk më pëlqejnë. Pas pezullimit kam ndryshuar gjithçka, edhe mënyrën si jetoj jashtë fushës. Tani shkoj vetëm në stërvitje dhe pastaj kthehem në shtëpi me familjen. Jeta ime është shumë më e mirë,” u shpreh ai.

Mesfushori italian kujtoi edhe momentin e dhimbshëm të moskualifikimit në Botëror me Italinë, pas humbjes ndaj Bosnjës, që e preku thellë emocionalisht. “Ishte një nga momentet më të këqija të karrierës sime. Pas asaj ndeshjeje, qëndrova në shtëpi për katër apo pesë ditë. Ishte shumë e vështirë edhe në jetën personale. Por pastaj u ktheva në Newcastle dhe aty gjeta mbështetjen e ekipit,” tha ai.

Tonali theksoi gjithashtu përgjegjësinë që ndien ndaj tifozëve dhe brezave të rinj që nuk e kanë përjetuar kurrë një Botëror. “Është shumë e rëndësishme për ne të rikthehemi. Duhet të reagojmë dhe të punojmë së bashku për ta arritur këtë,” shtoi ai.

Një rol të veçantë në jetën e tij ka marrë edhe familja, sidomos lindja e djalit të tij, Leonardo. “Ai ka qenë drita ime pas ndeshjes me Bosnjën. Më ndryshon ditën menjëherë. Të jesh baba të jep më shumë përgjegjësi, por është diçka e bukur,” tha Tonali.

Duke folur për të ardhmen me Newcastle, ai u tregua i qartë: skuadra duhet të reagojë në kampionat. “Duhet të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe ta mbyllim sezonin sa më mirë. Sezoni në Premier League nuk ka qenë i mirë dhe duhet ta ndryshojmë këtë situatë,” përfundoi ai.