Martini vazhdon bojkotin, tensioni me Hygerta Sakon mbetet i lartë

Polemikat mes trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, dhe moderatores, Hygerta Sako, vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Pas barazimit 0-0 ndaj Vorës, Martini vendosi të mos japë intervistë për RTSH, duke mbajtur premtimin e bërë më herët.

Trajneri shkodran kishte paralajmëruar bojkotin pas ndeshjes së Kupës ndaj Dinamos, ku u shpreh i pakënaqur me mënyrën si ishte trajtuar në studio. Sipas tij, Sako duhet të kërkojë ndjesë për etiketimin si “i paedukatë”, çka ka sjellë një përplasje të hapur mes palëve.

Ndërkohë, qëndrimi i klubit mbetet i palëkundur. Te Vllaznia theksojnë se nuk ndihen të kërcënuar nga deklaratat për masa të mundshme disiplinore dhe nuk kanë ndërmend të ndryshojnë vendimin.

Nga ana tjetër, Hygerta Sako ka paralajmëruar se çështja mund të përfundojë në duart e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në Federata Shqiptare e Futbollit, për shkak të refuzimit të trajnerit për të përmbushur detyrimet mediatike.

Situata mbetet e tensionuar dhe pritet të shihet nëse do të ketë zhvillime të reja në ditët në vijim, ndërsa konflikti mes palëve vazhdon të përshkallëzohet.