Finalja e Botërorit 2026 si ‘Super Bowl, FIFA sjell spektakël me Coldplay
Finalja e FIFA World Cup 2026 pritet të hyjë në histori si një nga më të pazakontat, pas vendimit revolucionar të FIFA për të ndryshuar formatin tradicional të pushimit mes dy pjesëve.
Presidenti Gianni Infantino ka konfirmuar se ndeshja finale, e cila do të zhvillohet më 19 korrik, në ‘MetLife Stadium’, do të ketë një spektakëk në pushimin mes pjesëve në stilin e Super Bowl. Për herë të parë, pushimi mes pjesëve nuk do të zgjasë 15 minuta, por rreth 25 minuta, për t’i lënë hapësirë një spektakli madhështor.
Protagonistë kryesorë të këtij eventi do të jenë Coldplay, me Chris Martin dhe Phil Harvey që do të kujdesen për drejtimin artistik. Sipas Infantinos, synimi është që finalja të mos jetë vetëm një ndeshje futbolli, por një shfaqje globale që tërheq një audiencë edhe më të gjerë.
“Për herë të parë do të kemi një spektakël të madh në pushimin e finales”, deklaroi Infantino, duke theksuar se do të jetë një nga eventet më të mëdha të këtij lloji në botë.
Megjithatë, ky vendim ka ngjallur edhe polemika. Shumë tifozë shprehin shqetësimin se një pushim kaq i gjatë mund të ndikojë negativisht në ritmin e lojës dhe përqendrimin e futbollistëve, sidomos në një moment kaq delikat si finalja e një Botërori.
Pavarësisht kritikave, FIFA duket e vendosur të transformojë finalen në një spektakël të plotë, duke bashkuar sportin dhe argëtimin në një mënyrë të re.