‘Shok’ në Rrogozhinë, Flamurtari trondit Egnatian dhe ndez garën për mbijetesë

Egnatia pësoi një humbje të papritur 0-2 në fushën e saj përballë Flamurtarit, në një ndeshje që pritet të ketë ndikim të madh si në garën për titull, ashtu edhe në luftën për mbijetesë në Abissnet Superiore.

Vlonjatët kaluan në avantazh që në minutën e 11-të, kur pas një aksioni nga e djathta, Haime devijoi topin në portën e tij, duke u dhënë epërsinë miqve. Egnatia provoi të reagojë dhe madje gjeti rrugën e rrjetës me Buriç, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe një moment kyç, kur pas ndërhyrjes së VAR-it, vendasit mbetën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq për Xhemajlin.

Në pjesën e dytë, Flamurtari përfitoi nga epërsia numerike dhe goditi sërish në minutën e 53-të. Ememe realizoi një gol të bukur me një goditje të fortë nga distanca, duke dyfishuar shifrat në 2-0. Egnatia tentoi të rikthehej në lojë, me disa raste të rrezikshme, përfshirë një goditje spektakolare nga gjysmëfushe e Fernandos që u ndal nga traversa, por pa sukses.

Portieri Aleksovski ishte një nga protagonistët e ndeshjes, duke bërë disa pritje vendimtare që ruajtën avantazhin e skuadrës së tij.

Me këtë fitore, Flamurtari rihap fuqishëm garën për mbijetesë, duke ngushtuar diferencat me rivalët direktë. Nga ana tjetër, Egnatia humbet terren të rëndësishëm në garën për titull.