Protesta të mëdha në Milano, qyteti ndahet në dy kampe politike

Nga Alba Kepi

Qyteti i Milanos po përjeton sot një ditë me tension të lartë politik, ndërsa në qendër dhe në rrugët kryesore po zhvillohen protesta të mëdha me mesazhe krejtësisht të kundërta.

Nga njëra anë, Patriotët Evropianë dhe Partia Lega kanë mbushur Piazza del Duomo me thirrje kundër Bashkimit Evropian, emigracionit dhe politikave të Brukselit. Nga ana tjetër, antifashistë, aktivistë, parti të majta dhe qytetarë të shumtë po protestojnë kundër nacionalizmit dhe gjuhës së urrejtjes.

Të pranishëm në shesh janë Martin Helme (president i EKRE, Estoni), Udo Landbauer (zëvendësguvernator i Austrisë së Poshtme, FPÖ), Tom Van Grieken (president i Vlaams Belang, Flandër), Afroditi Latinopoulou (presidente e Foni Logikis, Greqi), Geert Wilders (lider i PVV, Holandë) dhe Jordan Bardella (president i Rassemblement National, Francë), ndërsa me mesazhe video do të ndërhyjnë Santiago Abascal (president i Vox, Spanjë) dhe Andrej Babiš (ish-kryeministër dhe lider i Lëvizjes së Qytetarëve të Pakënaqur 2011, Republika Çeke).

Sipas forcave të rendit, rreth 2 mijë persona janë në manifestimin e organizuar nga Lega dhe aleatët e saj evropianë. Korteu është nisur nga Porta Venezia dhe ka mbërritur në Piazza Duomo mes muzikës patriotike dhe këngës tradicionale milaneze “O mia bela Madunina”.

Në krye të korteut ndodhej një traktor me mbishkrimin “Të mbrojmë bujqësinë tonë dhe Made in Italy”, si simbol i protestës kundër politikave evropiane që, sipas organizatorëve, dëmtojnë prodhuesit vendas.

Bashkë me ta janë edhe kryetarë bashkish dhe administratorë lokalë të Legës me pankartën “Padroni a casa nostra” (“Padronë në shtëpinë tonë”), slogan që ka dominuar gjithë manifestimin.

Në shesh është ngritur një skenë me mesazhe si “Mbrojtja e kufijve”, “E drejta për siguri” dhe “Mbrojtja e rrënjëve”. Tubimi pritet të mbyllet me fjalimin e liderit të Legës, Matteo Salvini, i cili e ka quajtur Bashkimin Evropian një Evropë “të shurdhër, në mos armike”.

Në të njëjtën kohë, në disa zona të qytetit po zhvillohen kundërmanifestime të mëdha kundër tubimit të së djathtës. Protesta kryesore është mbajtur me pankartën “Milano është emigrante”, e organizuar nga qendra sociale, organizata qytetare, rrjete antiraciste dhe parti të majta.

Blloku antagonist, i përbërë nga grupe antifashiste, qendra sociale, aktivistë politikë dhe organizata të majta, po kundërshton në rrugë tubimin e së djathtës në Piazza Duomo.

Në korteun e tyre valëviten flamuj të forcave progresiste dhe pankarta në mbrojtje të emigrantëve, të drejtave civile dhe një shoqërie të hapur. Mes pjesëmarrësve ka përfaqësues të lëvizjeve sociale, sindikalistë dhe qytetarë të shumtë.

Në Corso Venezia, aktivistët kanë vendosur një pankartë të madhe me mbishkrimin: “Milano është antifashiste, multietnike dhe partizane”, ndërsa atmosfera është shoqëruar me fishekzjarre dhe petarda.

Një grup tjetër protestuesish pro-palestinezë është mbledhur në Piazza Argentina, duke iu bashkuar klimës së kundërshtimit ndaj së djathtës radikale.

Për të shmangur përplasjet mes dy kampeve, autoritetet kanë vendosur një prani të madhe policore në zonat më të ndjeshme të qytetit. Disa rrugë janë mbyllur për qarkullimin dhe lëvizja në qendër të Milanos është kufizuar.

Ajo që po ndodh sot në Milano shkon përtej kufijve të Italisë. Qyteti është bërë simbol i përplasjes mes dy vizioneve të kundërta për të ardhmen e Evropës: nga njëra anë nacionalizmi, kufijtë e mbyllur dhe sovraniteti; nga ana tjetër antifashizmi, integrimi dhe mbrojtja e diversitetit.