Berisha: Kryengritja paqësore rruga e vetme për të hapur dyert e Shqipërisë në BE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka falënderuar pjesëmarrësit në protestën e fundit, të cilën e ka cilësuar si “kryengritje paqësore”, duke theksuar se kjo formë veprimi është rruga më e sigurt për ndryshime politike në vend.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj protestuesve dhe mbështetësve që ishin të pranishëm, duke i inkurajuar të vijojnë këtë formë angazhimi politik.

“Ftoj të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë kryengritje si rruga e vetme më e sigurt për të shpëtuar Shqipërinë,” u shpreh Berisha, duke e lidhur këtë qasje me procesin e integrimit europian të vendit.

Ai shtoi se kjo është rruga për të rikthyer shpresën dhe besimin e qytetarëve, si dhe për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale, duke përmendur rritjen e pagave dhe pensioneve, mbështetjen për fermerët dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Deklarata e plotë:

Ju falënderoj shumë për pyetjet, për komentet.

Edhe njëherë një mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre që ishin të pranishëm dje në kryengritjen tonë paqësore.

Ftoj të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë kryengritje si rruga e vetme më e sigurtë për të shpëtuar Shqipërinë.

Si rruga e vetme më e sigurtë për të hapur dyert e Shqipërisë për integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Si rruga e vetme më e sigurtë për të rikthyer në Shqipëri shpresën. 

Për të rikthyer në Shqipëri besimin tek Shqipëria, nga shqiptarët.

Për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, për vendosjen e minimumit jetik, për subvencionimin e fermerëve shqiptarë, njëlloj si fermerët e Kosovës dhe Maqedonisë.

Për shërbime dinjitoze, arsim dhe shëndetësi.

Të vazhdojmë këtë kryengritje për ti thënë se kurrë nuk pajtohemi me vjedhjet që ti bën me Lubi Ballukun, me familjarët e tu tek AKSHI i Surrelit, apo pasuri të tjera publike.

Edhe njëherë një përshëndetje të përzemërt ju, protestuesve, guximtarëve tanë në qelitë e komisariateve dhe mbarë shqiptarëve.

Faleminderit!