Berisha: Edi Rama meriton atë që meritojnë tradhtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet politike dhe samitet e zhvilluara në kuadër të diasporës, duke i krahasuar me nisma të tjera rajonale dhe duke ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
I pyetur nga qytetarja për samitin e diasporës dhe proceset rajonale, Berisha tha se qëndrimi i tij për këto çështje është bërë publik më herët, ndërsa shtoi se, sipas tij, politikat e qeverisë aktuale kanë sjellë pasoja negative për interesat kombëtare shqiptare.
Berisha e cilësoi Ramën si figurën më problematike në historinë moderne të vendit, pas periudhës komuniste, duke përdorur një gjuhë të fortë politike dhe duke e akuzuar për dëmtim të interesave shqiptare në rajon.
Ai përmendi gjithashtu marrëdhëniet me Kosovën dhe proceset rajonale, duke i konsideruar ato si të dëmshme për interesin kombëtar, sipas këndvështrimit të tij politik.
Deklarata e plotë:
Enxhi Gashi: Zoti Berisha, u bë samiti i katërt i diasporës në 12 vite, në një kohë që vetëm në tre vite, Rama ka bërë tetë samite të Open Balkans me Aleksandër Vuçiç ku ka pasur marrëveshje konkrete ekonomike që kanë dëmtuar shqiptarët. Si e komentoni?
Sali Berisha: Komenti im për kuvendin e diasporës është bërë ditën që ai u mblodh. Edi Rama në historinë e këtij kombi, në vlerësimin tim, pas Enver Hoxhës është armiku më i rrezikshëm i të gjitha kohërave.
Edi Rama është faktuar si Pashiqi, siç ka thënë Michael Martens, si kryeministri më i mirë i serbëve pas Pashiqit për shërbimet që i ka bërë kombit serb në dëm të kombit shqiptar.
Nuk mund të imagjinohet një dëm më i madh për një komb se sa në 10 vitesh të largosh nga trojet e veta 45 përqind të këtij kombi si Edi Rama.
Nuk mund të bësh qëndrime më armiqësore ndaj një kombi se sa të vësh sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, të padisësh në gjykatë kryeministrat e Kosovës në një rast unik në botë, se sa të bësh pazare me Vuçiçin me territorin e Kosovës.
Pra, në këtë aspekt, Edi Rama meriton atë që meritojnë tradhtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar nga diaspora dhe çdo shqiptar tjetër.