Berisha: Zyra e Edi Ramës është zyra e karteleve më të mëdha të Europës dhe botës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se qeveria Rama është e lidhur ngushtë me aktivitetin e grupeve kriminale ndërkombëtare.

I pyetur nga një qytetare për një rast të goditjes së një grupi kriminal të trafikut të kokainës, i cili sipas raportimeve kishte investuar në biznese dhe kishte përfituar tendera publikë, Berisha ngriti dyshime për përdorimin e fondeve publike dhe lidhjet mes krimit dhe institucioneve shtetërore.

“Kartele dhe qeveria këtu janë një. Zyra e kryeministrit është zyra e karteleve më të mëdha të Europës dhe botës,” u shpreh Berisha, duke përmendur grupe kriminale ndërkombëtare dhe duke akuzuar qeverinë për lidhje me ta, akuza të cilat i paraqiti si pjesë të një problemi më të gjerë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai shtoi gjithashtu se beteja politike e opozitës po jep rezultate dhe se perceptimi ndërkombëtar për qeverinë shqiptare po ndryshon gradualisht.

“Gradualisht Edi Rama do të shndërrohet në turp për t’u takuar me të,” tha Berisha, duke theksuar se opozita do të vazhdojë betejën e saj politike deri në përmbushjen e qëllimeve të saj.

Deklarata e plotë:

Marjela Gjata: Rasti i fundit i goditjes së një grupi kriminal që trafikonte kokainë, tregoi se ata kishin investuar në biznes dhe kishin marrë 70 mln euro tendera nga qeveria, madje edhe për shkolla. Pra një grup që trafikon kokainë, ndërton shkolla dhe qerdhe. A po përdoren paratë e buxhetit për të pastruar paratë e drogës dhe a po financohen ngarkesa kokaine me paratë e buxhetit.

Sali Berisha: Kartelet dhe qeveria këtu janë një. Zyra e kryeministrit është zyra e karteleve, aty priten dhe përcillen bosët e karteleve më të mëdha të Europës dhe botës, Sinalos së Meksikës dhe grupeve të tjera, karteleve të tjera të Amerikës Latine. Kjo është shumë e vërtetë, qëe thoni ju. 
Por ju e dini që Edi Rama kishte një koordinator për kartelet e drogës dhe e ka përsëri Ergys Agasin për të cilin thuhet se, më shumë rri në Surrel se sa në Xhafëzotaj.
Por natyrisht beteja jonë nuk është pa fruta.
Mendoni pak ku ishim kohë më parë, kur në mënyrë të verbër nga lobime korruptive, Edi Rama blinte deklarata njëra pas tjetrës që e lavdëronin. 
Gradualisht Edi Rama do të shndërrohet në turp për tu takuar me të dhe jam i sigurtë se shqiptarët do të realizojnë, përmbushin misionin e tyre.