Berisha: Mësuesi Albani Bejleri është një ‘Dëshmor i Atdheut’. Qeveria vlerëson vetëm kriminelët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të mësuesit Alban Bejleri, i cili çdo ditë përshkonte dhjetëra kilometra për të dhënë mësim në një zonë të thellë malore të Maliqit, ku mësonte vetëm pak nxënës.

I pyetur për rastin, Berisha e cilësoi Bejlerin si një “Dëshmor të Atdheut”, duke e përshkruar si një mësues që, sipas tij, mishëron sakrificën dhe përkushtimin e vërtetë ndaj arsimit shqiptar.

Ai shprehu ngushëllime për familjen dhe komunitetin, duke e quajtur atë një figurë shembullore dhe “misionar të pavdekshëm të arsimit”.

 

Deklarata e plotë:

Genc Koreja: Doktor, nuk e di a jeni në dijeni, por para pak ditësh mes maleve të Marjanit në Maliq, humbi jetën Alban Bejleri. Udhëtonte çdo ditë 45 km me makinë nga Maliqi, dhe 4 orë në këmbë vetëm për 2-3 nxënës në atë fshat. Edhe pse kishte bërë kërkesë për transferim, kërkesa e tij nuk u mor asnjëherë parasysh. Jo vetëm kaq, por nuk kemi dëgjuar asnjë mesazh ngushëllimi nga ana e Ministrisë së Arsimit. Si mund të sillet një qeveri kështu me mësuesit.

Sali Berisha: Albani është një ‘Dëshmor i Atdheut’. Një mësues hero i vërtetë, një misionar i pavdekshëm i arsimit shqiptar. 
Ai është viktimë e diferencimit politik të kësaj qeveri banditësh, të kësaj organizate kriminale, ai ishte njeri shembullor, një njeri i nderuar dhe unë i shpreh familjes dhe komunitetit, ngushëllimet më të ndjera. 
Ndërsa për qeverinë thashë dhe njëherë është një organizatë kriminale. Mos prit nga kjo qeveri të vlerësojë të tjerët përveç se kriminelëve.