Berisha: Një popull që nuk proteston, që hesht tregon një shkallë ekstreme nënshtrimi, ne do të provojmë të kundërtën
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga një qytetare, e cila theksoi se termi "kryengritje paqësore" ka humbur kuptimin për ata që janë viktima të përdorimit të gazit lotësjellës gjatë protestave.
Berisha shpjegoi se, pavarësisht dhunës dhe abuzimeve të shkaktuara ndaj protestuesve paqësorë, PD mbetet e vendosur të vazhdojë me një strategji paqësore, duke theksuar se kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë synim pushtetin me dhunë.
Ai theksoi se kjo është një luftë që ka shumë arsye për të vazhduar, duke përmendur disa nga aferat e qeverisë së Edi Ramës, përfshirë ato të lidhura me zgjedhjet e dyshimta, aferën Rama-Balluku, shkeljet në AKSHI dhe Portin e Durrësit, si dhe shumë çështje të tjera që duhen trajtuar dhe denoncuar.
Deklarata e plotë:
Mimoza Rexhvelaj: Doktor ju thatë kryengritje paqësore, por tingëllon si kundërshti në vetevete, pas mbrëmjes së djeshme ky togfjalësh nuk ka më kuptim për ne qe u helmuam me gaz.
Sali Berisha: Mimoza, ne jemi Parti Demokratike. Ne kurrë nuk kemi synuar dhe nuk synojmë pushtet me dhunë. Ndaj dhe ne vazhdojmë kryengritjen paqësore deri në realizimin e qëllimit tonë.
Unë e kuptoj, isha dhe jam dëshmitar i të gjitha akteve ç’njerëzore, shtazore që kryen ndaj protestuesve paqësor. Por ne nuk tërhiqemi nga strategjia jonë dhe nuk duhet të tërhiqemi.
Ne duhet të vazhdojmë këtë betejë për një mijë e një arsye.
Do të vazhdojmë këtë betejë për farsën elektorale të Edi Ramës, për aferën Rama-Balluku, për aferën e AKSHI-t, për Portin e Durrësit dhe dhjetëra afera të tjera.
Një popull që nuk proteston, që hesht ndaj padrejtësive dhe krimeve të tilla, tregon një shkallë ekstreme nënshtrimi. Por ne do të provojmë të kundërtën.