Reagimi i Ballës/ Berisha: Ai është kriminel me damkë, Balla është fytyra e drejtësisë shqiptare

Në një përgjigje ndaj reagimeve të Taulant Ballës mbi vendimin e gjykatës administrative për shfuqizimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti Ballën "kriminel me damkë".

Berisha i rikujtoi publikut disa nga akuzat ndaj Ballës, duke i dhënë një pasqyrë të ashpër të veprimtarisë së tij të lidhur ngushtë me krimin dhe korrupsionin.

Berisha përmendi se Balla ka qenë i përfshirë në skandale dhe veprime të rënda penale, përfshirë akuza të rënda për porositje vrasjesh dhe manipulime të drejtpërdrejta me bandat kriminale.

Ai përmendi lidhjet e Ballës me bandën e Elbasanit dhe veprime të tjera të rënda, duke përfshirë një rast të dështuar të atentatit ndaj Lulzim Kullës dhe përpjekjet për të liruar terroristë.

Berisha e quajti Ballën si "fytyrën e drejtësisë shqiptare" dhe u shpreh se nuk mund të pritej asgjë tjetër nga ai përveç deklaratave që janë të lidhura ngushtë me interesat e tij dhe të grupit të krimit.

Deklarata e plotë:

Albanian Americans: Përshëndetje Doktor. Balla ka reaguar para pak minutash në lidhje me vendimin e gjykatës administrative për shfuqizimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës. Ai e quajti lajthitje të gjykatës dhe deklaroi se ajo ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. Si e gjykoni këtë reagim?

Sali Berisha: Do më lejoni edhe njëherë të rikujtoj se pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Taulant Balla është krimineli më i rrezikshëm që futet në atë parlament.
Taulant Balla përfaqëson njeriun që ka porositur vrasje dhe që është akuzuar se ka porositur vrasje dhe që është regjistruar në telefona si porositës vrasjesh.
Dhe këto regjistrime janë shkatërruar me një procesverbal me vendim të një gjykatësi dhe prokurori dhe ai procesverbal është bërë publik.
Taulant Balla është regjistruar në telefonata me Mario Çelën, në të cilat bën pazarin ku Çela i ka vendosur kusht Ballës arrestimin e bandës rivale të Çelajve në Elbasan, që Çelajt t’i garantojnë votat që do Taualant Balla.
Kushti është plotësuar. Faktikisht banda rivale është arrestuar dhe Taulant Balla ka marrë qindra mijëra vota.
Taulant Balla është i regjistruar se ka marrë porosi nga Çelajt që të marrë prokurorin Vath Staka dhe të shkojë në Shkodër për të liruar dy terroristë që kanë vendosur tritol nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës, dhe që tritoli ra në tokë dhe nuk i shpërtheu nën shalë atij.
E vërteta është që terroristët u liruan.
Mund të rendis edhe një seri veprash të tjera të rënda penale.
Taulant Balla është krejtësisht protagonist kryesor në dosjen Toyota Yaris.
Fytyra e drejtësisë shqiptare është Taulant Balla.
A mund të presësh qëndrim tjetër nga ky kriminel me damkë përveç atij që deklaron?
Jo, nuk mund të presësh.