Berisha: Frika është përcaktuese për protestat! Për çmimin e naftës dolën në rrugë vetëm 10 qytetarë

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar se frika është një nga faktorët kryesorë që pengon pjesëmarrjen e qytetarëve në protesta, veçanërisht në çështje të tilla si rritja e çmimit të naftës.

Ai u shpreh se edhe pse çmimi i naftës është një nga problemet më të mëdha që prek xhepat e shqiptarëve, gjatë një proteste të organizuar nga shoqëria civile për këtë çështje, doli vetëm një numër i vogël qytetarësh prej10 vetësh.

Sipas tij, kjo është për shkak të frikës që qytetarët kanë nga pasojat që mund të kenë për jetën e tyre ekonomike.

Berisha theksoi se është e domosdoshme që opozita të ndryshojë skemën e protestave dhe të kalojë në një fazë më të fuqishme veprimi.

Ai sugjeroi që duhet të bllokohet jeta ekonomike dhe të përfshihen profesione si mjekët, farmacistët, arsimtarët, noterët dhe avokatët, për të krijuar një front të gjerë kundër regjimit të Edi Ramës. 

Deklarata e plotë:

Ndryshimi: Duhet të ndërrojmë skemë, duhet të bllokojmë jetën ekonomike, duhet grevë me mjekë,farmacistë, arsimtarë, noterë, avokatë. Tek kategoria e shtresës së mesme, aty duhet luftuar që t’i bëjmë bashkë që të godasim sistemin. Nëse nuk e bën këtë, tregon se nuk e ke seriozisht angazhimin.

Sali Berisha: Ajo që thoni ju është e domosdoshme. Ajo është e domosdoshme.
Po nëse nuk e bën këtë, nuk e ke seriozisht, kjo pastaj është relative.
Frika, i nderuar zotëri, është përcaktuese sot.
Farmacisti nuk del në protestë sepse të nesërmen nuk e hap dot farmacinë. Noterit i hiqet licenca, etj, etj.
Pra, sot është koha të bëni një analizë. U bë një protestë e shoqërisë civile, e thirrur nga gazetarë të nderuar, pa interesa partiake.
U bë për një nga çështjet më të mprehta që prek xhepat e çdo shqiptari. U bë për çmimin e naftës kundër taksës për litrin e naftës që është më e larta në botë. 
Kush doli i dashur mik? 10 qytetarë.
Jo se ata nuk kanë problem naftën, por problem kanë frikën qytetarët.
Ndaj dhe ne u bëjmë thirrje.
Por kjo nuk do të thotë se ne nuk do punojmë shumë në atë drejtim.
Megjithatë, midis alternativës të heshtjes si ata apo të ngritjes në këmbë fuqishëm kundër regjimit, kjo e dyta është jetike, vendimtare për opozitën dhe vendin.