Protesta/ Gjoni: Policia po ushtron dhunë të urdhëruar politikisht ndaj protestuesve të opozitës

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka lëshuar akuza ndaj Policisë së Shtetit pas ndërhyrjes në protestën e fundit të opozitës, duke deklaruar se dhuna e ushtruar është e urdhëruar politikisht dhe shërben si një provë besnikërie e drejtuesve të rinj ndaj eprorëve të tyre.

Në një intervistë në SYRI TV me moderator Edvin Parruca, Gjoni theksoi se dhuna policore ndaj protestuesve dhe deputetëve opozitarë ka ardhur në mënyrë progresive, duke u përshkallëzuar nga protesta në protestë. Sipas tij, ndërhyrja e së martës ishte tërësisht joproporcionale dhe e dhunshme, e ndërmarrë menjëherë pas fjalimit të liderit të opozitës, Sali Berisha. “Mjetet e përdorura nga policia ishin joproporcionale dhe tregojnë një dhunë të vazhdueshme dhe represive që Policia e Shtetit po ushtron ndaj protestuesve paqësorë dhe deputetëve,” u shpreh ai.

Gjin Gjoni:  Të them të drejtën, mënyra se si policia e shtetit nga protesta e parë deri në momentin në protestën e shtatë, ka filluar të rrisë dozën e dhunës ndaj protestuesve dhe njëkohësisht edhe ndaj deputetëve të Partisë Demokratike. Po të shohim mënyrën se si ka rrjedhur ngjarja e ditës së djeshme, rezulton që policia është sjellë në mënyrë joproporcionale ndaj protestuesve. Në momentin direkt pas fjalimit të doktor Berishës, rezulton që ka një ndërhyrje të dhunshme nga ana e policisë në radhët e protestuesve, me mjete të cilat janë joproporcionale. Mjete të cilët tregojnë dhunën e vazhdueshme dhe represive që policia e shtetit po ushtron ndaj protestuesve paqësorë dhe njëkohësisht edhe deputetëve të Partisë Demokratike.

Nga krahu tjetër, kjo mënyrë tregon lidhjen midis policisë së shtetit dhe strukturave kriminale, sepse një polici profesionale, një polici e depolitizuar, nuk mund të sillet në këtë mënyrë ndaj një proteste paqësore siç ishte protesta e opozitës e ditës së djeshme. Dhe po të shiheni, numri i njerëzve të cilët janë dhunuar, janë dëmtuar për shkak të ndërhyrjes së policisë, është një numër jashtëzakonisht shumë i madh, pasi një pjesë e madhe, jo vetëm deputetët të cilët janë paraqitur dhe janë bërë publike në spitalin e Tiranës dhe njëkohësisht edhe te Trauma, rezulton që ka një numër të madh qytetarësh të cilët nuk janë paraqitur fare nga frika dhe represioni që ushtron media, shteti dhe policia ndaj qytetarëve dhe protestuesve paqësorë.

Këta shpjegojnë urdhrat dhe mënyrën se si drejtori i ri i policisë kërkon që të verë autoritetin dhe të dalë në sytë e shefit të tij të narko-shefit, si njeri i cili mund të zbatojë me përpikmëri urdhrat, ndryshe nga paraardhësi i tij. Këtu ka një zell të jashtëzakonshëm të drejtuesve të policisë së shtetit, dhe të dy drejtuesve kryesorë, dhe të zotit Hitaj dhe njëkohësisht edhe të zotit Bizhga, të cilët tregojnë një zell të tejskajshëm ndaj mënyrës se si kanë vepruar për të treguar në sytë e atyre të cilët i kanë zgjedhur se janë njerëzit e posaçëm dhe njerëzit pikërisht që mund të realizojnë këtë dhunë ndaj opozitës. Fakti që dhuna po shkon në nivele shumë të larta, dhe ju e keni parë edhe në pjesën e protestave të përbashkëta, mënyra se si është dhunuar kryetari i Partisë Demokratike, lideri i opozitës, zoti Berisha në mënyrë të qëllimshme... që u qëllua në mënyrë specifike.