Avokati i Popullit, Shabani flet me gjuhën e antiligjit dhe të gangsterizmit antidemokratik!

Nga Petrit Vasili

Janë skandaloze, të turpshme dhe totalisht antiligjore deklarimet publike të Avokatit të Popullit Shabani lidhur me kushtet në burgje dhe klasifikimet që ky i papërgjegjshëm bën për ligjshmërinë dhe të drejtat e të paraburgosurve.

Në rastin e Ilir Metës, vetë institucioni që drejton Shabani ka bërë rekomandime të rëndësishme për të cilat edhe delegacioni i BE-së në Tiranë ka bërë thirrje që të zbatohen menjëherë.

Por ky Shabani, që me sa duket nuk drejton asgjë, por thjesht është strehuar në zyrën e Avokatit të Popullit, na flet për VIP-a dhe muhabete pa as më të voglën lidhje me ligjin.

Shabanin kamikaz nuk e shqetëson:
-as rrëmbimi kriminal dhe pa vendim e pa avokat i Metës,
-as kufizimi kriminal i takimeve që i takojnë me ligj,
-as dënimet edhe brenda burgut pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa i dhënë as vendimin përkatës,
-as edhe kufizimi i ajrimit,
-as edhe çarja e bidonave të ujit,
-as edhe kushtet brenda qelisë,
-as edhe pengimi i paligjshëm i takimeve me deputetë dhe eurodeputetë që edhe SPAK i ka miratuar,
-as pengimi i intervistave të lejuara me ligj.

Pra Ilir Metës i privohen dhe shkelen edhe të drejtat më minimale dhe ky i çoroditur flet për VIP.

Këto janë faktet or ti Shabani, fakte që i ka konstatuar edhe vetë institucioni yt.

Medet çfarë Avokati Populli ka Shqipëria që nuk mbron as të drejtat më minimale të qytetarëve në institucionet penitenciare.

Ky i papërgjegjshëm që flet broçkulla pa asnjë lidhje me ligjin nuk respekton as institucionin që drejton e jo më të drejtat e ligjshme të qytetarëve në burgje.

Shabani po kërkon të meritojë besimin e Edi Ramës dhe po ia arrin me së miri duke u kthyer në një shembëlltyrë të antiligjit dhe gangsterizmit antidemokratik.