Protesta e opozitës/ Tensione, molotov dhe dhuna e policisë, mediat italiane raportojnë situatën

Mediat italiane kanë raportuar për protestën e radhës të opozitës në Tiranë, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e rendit. Sipas raportimeve, gjatë tubimit të organizuar nga opozita, janë hedhur mjete shpërthyese artizanale në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Policia shqiptare ka ndërhyrë duke përdorur ujëhedhës dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të neutralizuar grupin e protestuesve që dyshohet se hodhi molotovët. Raportohet se një deputet i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, si dhe një tjetër person janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Më pas, situata është zhvendosur pranë godinës së Parlamentit, ku disa protestues kanë tentuar të thyejnë kordonin e policisë, por janë ndaluar sërish nga forcat e rendit me ujëhedhës.

Sipas mediave italiane, protesta të ngjashme janë zhvilluar në mënyrë periodike gjatë vitit në Shqipëri, ndërsa opozita vijon të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e lidhur situatën politike me një skandal korrupsioni që përfshin Belinda Balluku.